Diplomatët kundër Greqisë si partner strategjik
Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje dhe politika shumë aktive e qeverisë së re për shtimin e partnerëve strategjikë ka sjellë diskutime dhe në radhët e diplomatëve. Në një kohë që ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka ritheksuar se prioritetet e diplomacisë me ardhjen në pushtet të qeverisë “Rama” do të jenë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë por dhe çështja çame, diplomatët kërkojnë riformulim për marrëdhëniet me Greqinë. Marrëdhëniet me fqinjin tonë u konsideruan si shumë të mira në vizitën e para pak ditëve që ministri i Jashtëm grek, Venizelos, bëri në Tiranë. Por, ky qëndrim nuk mbështetet nga ishambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa as nga ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Diplomatët për Greqinë Diplomati Fatos Tarifa, përshëndeti cilësimin nga qeveria jonë të Turqisë si partnere strategjike, pasi ajo është treguar vend mik dhe mbështetës i Shqipërisë së 20 viteve të fundit dhe po ashtu i Kosovës. Ndërsa Greqia, pavarësisht vend fqinj, tha ai, është shndërruar me shumë në rival strategjik, pasi nuk ka treguar as reciprocitet me Shqipërinë dhe as nuk e ka njohur Kosovën.
“Greqia nuk e ka fatkeqësisht këto cilësi, si një vend fqinj dhe unë do ta vija në dyshim cilësinë e saj si partner strategjik për Shqipërinë”, – ka ai në forumin publik me titull, “Politika e Jashtme dhe Diplomacia e Shqipërisë”, organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave. Ndërkohë sipas Milos, Greqia vijon në heshtje të mbajë në fuqi ligjin e luftës. “Aktualisht dhe zyrtarisht nuk deklarohet, por ajo vazhdon të mbajë në fuqi dhe në heshtje të ashtuquajturin ligj të luftës mes dy vendeve. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë larg për t’u konsideruar si të shkëlqyera, siç edhe u deklarua një javë më parë, kur erdhi në Shqipëri për vizitë, ministri i Jashtëm grek Venizelos”, – tha historiani Paskal Milo. Ai shtoi se “maqedonizimi” i marrëdhënieve Shqipëri – Greqi, siç emërtoi ai një konflikt të mundshëm, nuk i duhet Greqisë në krizë të thellë ekonomike dhe as Shqipërisë nuk i duhen bllokues të integrimit, duke sugjeruar një trajtim të kujdesshëm të çështjes. Prioritetet e diplomacisë “Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë prioritet i politikës së jashtme shqiptare, po kështu prioritet është edhe çështja çame, si dhe konsolidimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë. Ky konsolidim do mbështetet në projektet strategjike. Përparësi do t’i jepet diplomacisë energjetike, sidomos pas nënshkrimit të projektit TAP”, – u shpreh Bushati duke theksuar prioritetet e diplomacisë shqiptare. Gjatë forumit publik për “Politikën e jashtme dhe diplomacinë e Shqipërisë”, të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave kreu i diplomacisë komentoi më tej Progres-Raportin ndërsa theksoi se vendimi për vendin kandidat do të shërbejë si nxitje për reformat dhe jo si trofe.