De Biasi rinovon kontratën: Do ta motivoj Januzajn që të luajë për Shqipërinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri Gianni De Biasi zyrtarizuan marrëveshjen për zgjatjen e kontratës edhe dy vite të tjera, me opsion rinovimi në rast se Shqipëria arrin të kualifikohet në finalet e Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë.

Kreu i FSHF-së tha se e kishte vlerësuar pozitivisht punën e italianit gjatë eliminatoreve të Brazil 2014, ndaj institucioni që ai drejton vendosi t’i ofrojë një kontratë të re.

Duka tha se objektivi i De Biasit është t’i çojë kuqezinjtë në finalet e Evropianit, ndërsa sa u përket termave financiarë të kontratës së re shpjegoi se ka një rritje simbolike vetëm për bashkëpunëtorët e trajnerit.

Pasi falënderoi Dukën për besimin, De Biasi premtoi se do të bëjë gjithçka për të përmbushur ëndrrën e shqiptarëve për një kualifikim në Euro 2016.

“Ne të gjithë mbetëm të zhgënjyer në fund të eliminatoreve duke pasur parasysh startin shumë pozitiv, ku arritëm përtej pritshmërive. Besoj se të gjithë ne përjetuam një ëndërr se mund të shkonim atje ku në fillim as që e çonim nëpër mend. Pjesa e dytë na la një shije të hidhur.

Në edicionin e ardhshëm do të bazohemi në një grup pak a shumë të konsoliduar dhe nuk do të na duhet të bëjmë rinovime të shumta.

Duhet të rritemi më shumë si skuadër dhe të synojmë të arrijmë atje ku të gjithë ëndërrojmë. A do të shkojmë në Francë? Ky është objektivi që kemi të gjithë. Në kokën dhe zemrën tonë duhet të ekzistojë kjo dëshirë, por nga ana tjetër duhet të krijojmë ambientin e duhur, edhe me ndihmën tuaj, që të ecim përpara me shumë qetësi”.

Një nga temat më të diskutuara kohët e fundit është mundësia për të bindur talentin e Manchester United, Adnan Januzaj, që të veshë fanellën kuqezi. De Biasi premtoi se do të mundohet të takohet personalisht me 18-vjeçarin, që ai të bëhet pjesë e Shqipërisë.

“Do të punoj në bashkëpumim me Federatën, duke e pasur të qartë në kokë sesi do të mund ta motivoj këtë djalosh për të luajtur me Shqipërinë. Sigurisht që do ta bëj një tentativë për ta bindur që të luajë me ne. Nuk e di sesa do të mund të jem i suksesshëm në këtë tentativë, por sigurisht që do ta takojmë Januzajn”.

Presidenti Duka siguroi se në muajin nëntor Shqipëria do të zhvillojë një takim miqësor, por ende nuk është përcaktuar emri I kundërshtarit. Mundësitë janë që të presim Bjellorusinë në “Qemal Stafa” ose të luajmë jashtë me Maltën.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close