Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Rugova sherr me Berishën, marrëveshje të fshehtë me Ramiz Alinë

Jusuf Buxhovi, themelues i LDK-se dhe ish-bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Rugovës, rrëfen sekretet: Djemtë nga Kosova u përgatitën në Shqipërinë e Ramiz Alisë për të luftuar me serbët

– Janë bërë publike më së shumti marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistonin mes dy presidentëve shqiptarë, Sali Berishës me seli në Tiranë dhe Ibrahim Rugovës me seli në Prishtinë. Por duket se e vërteta nuk ka qenë kjo që u “shit” si e tillë. Përplasjet dhe replikat mes tyre, të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike më parë, tanimë po dalin hapur. “Raportet e Ibrahim Rugovës me Sali Berishën nuk kanë qenë aq të mira” – thotë historiani dhe një nga themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi. Ai tregon se “Shqipëria është shtirur në atë kohë se gjoja po e njeh shtetin e Kosovës, por këtë kurrë nuk e ka bërë” – thotë ai në emisionin “Infomagazina” të Klan Kosovës. “Berisha – tha Buxhovi – i ka kërkuar shpesh Rugovës, që të dalë në zgjedhjet e Serbisë. Por Rugova nuk ka pranuar”. Ai ka thënë se ka dokumente që dëshmojnë për tensionet që kanë qenë me Berishës dhe Rugovës. Sipas tij ai ka pasur raporte të mira me ish-udhëheqësin komunist Ramiz Alia, me të cilin ka patur edhe një marrëveshje të fshehtë për përgatitjen e njerëzve për situata të ndryshme, qoftë edhe për luftë.

Situata e re

Buxhovi tha se: “Rënia e murit të Berlinit dhe rënia e diktaturës në Shqipëri e solli Kosovën dhe i solli shqiptarët në një situatë krejt të re ku kufiri filloi ta humbi rëndësinë e vet dhe natyrisht që duhet ta humbte rëndësinë e vet. Natyrisht që Kosova, qeveria e Kosovës por dhe institucionet e tjera të Kosovës gjithmonë mbështetjen kryesore e kanë pasur në Shqipëri. Madje dhe përpara se të formohej Partisë Demokratike, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur dy qendra të ndihmës që i kanë dhënë ndihmë Partisë Demokratike dhe demokratizimin e jetës në Shqipëri, një nga këto e kemi pasur në Gjermani dhe një tjetër e kemi pasur në Zvicër, të cilat i ka financuar Perëndimi”.

Përplasjet

Duke folur për më tej, historiani Jusuf Buxhovi deklaron: “Nuk dua të hyjmë shumë në hollësi, por dhe ato që kanë ndodhur në Shqipëri në vitet 1990-1991 në një farë mënyre kanë kaluar përmes Kosovës, përmes Lidhjes Demokratike dhe përmes asaj që më vonë u quajt Qeveria e Kosovës. Desha të them se raportet e Ibrahim Rugovës me Sali Berishën nuk kanë qenë ashtu siç paraqiten gjithmonë, pra që ato kanë qenë miqësore. Ato nuk kanë qenë miqësore, madje mund të them se kanë qenë raporte mjaft të tensionuara. Unë këto i kam bërë publike në librin tim, madje mund të paraqis dhe shumë argumente të tjera. Sali Berisha dhe Shqipëria në atë kohë kanë qenë të obliguar ta mbrojnë Kartën Evropiane, kanë qenë të obliguar të mbrojnë sovranitetin, pra të gjitha ato vendime të Konferencës së Hagës. Në këtë drejtim, Shqipërisë i është dashur që gjithsesi të luajë një lojë të dyfishtë: në një mënyrë sa për sy e faqe i tha kosovarëve se po e pranonte shtetin e Kosovës, por në fakt kurrë se ka pranuar përveçse një zyre që u atashua në Tiranë. Sali Berisha e ka reduktuar atë, madje në disa çaste e ka rrudhur në autonomi kulturore. Këtu ka pasur dhe probleme shumë të mëdha”.

Rugova e Berisha

Duke folur për marrëdhëniet e Berishës me Rugovën, historiani Buxhovi thotë se ato asnjëherë nuk kanë qenë ashtu siç janë ‘shitur” në tregun mediatik. “Në vitet 1995-1996 Sali Berisha ka pasur biseda shumë të ashpra me Ibrahim Rugovën dhe ka dashur që Rugova të dali në zgjedhjet e Serbisë. Ka qenë një shtab madje në Shqipëri që ka punuar në këtë drejtim. Dhe ky ka qenë një problem i madh. Rugova asnjëherë nuk ka dashur ta pranojë një gjë të tillë. Kjo ka qenë dhe pjesa më e rëndë. Sepse Rugova ka mundur t’i durojë ato që janë bërë në kurriz të Kosovës, madje ka mundur të durojë edhe që Shqipëria ka pasur relacione jo të pastra me Malin e Zi dhe me Serbinë në lidhje me embargon. Por ajo që gjithsesi është shumë e rëndë dhe që Rugova kurrsesi nuk ka dashur ta pranojë, ishte që të futej në zgjedhjet e Serbisë. Janë zhvilluar ca gjëra që me siguri do t’i lënë një njollë qeverisë së Berishës, sepse ajo është thyerëse e embargos për disa gjëra. Ndërsa futja në zgjedhje me Serbinë nuk u pranua nga Rugova dhe për faktin se kështu rrënohej e gjithë infrastruktura që ishte krijuar. Unë kam patur biseda me Rugovën dhe e di mirë që ai i ka thënë Berishës: “Kërkon ta bësh si në Bunaj, sikurse Enveri ia bëri Fadil Hoxhës kur ishte gati rezoluta për bashkimin. Por atëherë ishte Stalini, pra ishin rrethana të tjera. Por sot mos u sill kështu”. Pra kanë qenë relacione shumë të ashpra. Dhe unë kam dokumente që i mbështesin këto që po them”.

Marrëveshja e fshehtë me Alinë

Kosova përgatitej për luftë dhe fillimisht i duheshin kuadrot e saj që do të drejtonin njësitë e inkuadruara. Për ta bërë të mundur një gjë të tillë, kontingjente të caktuara do të vinin në Shqipëri dhe do të përgatiteshin. Kjo gjë u bë e mundur falë një marrëveshje të fshehtë mes Ibrahim Rugovës dhe presidentit shqiptar të asaj kohe Ramiz Alisë. Të paktën kështu thotë Jusuf Buxhovi, për “Infomagazine” duke deklaruar njëkohësisht se ai ka qenë vetë dëshmitar i këtyre ngjarjeve. Për më tepër ai thotë: “Është shumë e rëndësishme të thuhet se relacionet e para të Kosovës me Shqipërinë kanë qenë më të mira dhe shumë i vërtetë ka qenë relacioni i Rugovës me Ramiz Alinë. Kanë qenë marrëdhënie që kanë mbetur në mjegull. Unë kam qenë vet dëshmitar dhe kam dokumentacion për këtë gjë. Këto janë gjëra që objektivisht kërkojnë një trajtim më të gjerë. Lidhja, që është cilësuar mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë ka qenë një lidhje gjoja e rrethanave të reja. Por nuk kanë funksionuar gjithmonë ashtu siç jemi mësuar t’i dëgjojmë. Ndërkohë që forcat marksiste-leniniste të Kosovës të cilat zhvillonin aktivitet në Perëndim kanë pasur lidhje me Enver Hoxhën. Ky ishte një faktor, por që gjithsesi duhet të rishikohet jo aq ngurtë në kuptimin e ideologjisë, por duhet parë në kuptimin e krijimit të Kosovës si shtet. Duke u kthyer sërish te marrëdhëniet e Rugovës me Ramiz Alinë them se ka rëndësi shumë ky fakt, pasi në bazë të marrëveshjes së fshehtë të Rugovës me Ramiz Alinë, janë çuar grupet e para të njerëzve që të përgatiteshin për një luftë të ardhshme të armatosur, ku janë përfshirë shumë ushtarakë etj”.

Shtetet e Bashkuara sponsorizuar luftën dhe paqen në Kosovë

Kontigjente të zgjedhurish nga Kosova mbërritën në Shqipëri për t’u stërvitur nga oficerët me përvojë të detashmentit të zbulimit shqiptar, që ata të merrnin njohuritë e duhura të artit ushtarak në rast të një lufte partizane apo frontale ndaj ushtrisë serbe e cila prej vitesh ishte dislokuar në trevë. Duke folur për këtë pikë Jusuf Buxhovi sqaron: “Ibrahim Rugova ka qenë shumë pragmatist. Ai, ashtu si të gjithë ne, por edhe ashtu si Kosova dhe Shqipëria, e ka pasur një sponsor që kanë qenë Shtetet e Bashkuar atë Amerikës. ShBA-të kanë përcaktuar çdo gjë, si luftën edhe paqen. Ose politikën pa luftë dhe luftën pa politikë. Këto kanë qenë limitet që u është dashur t’i respektojnë Ibrahim Rubova, Sali Berisha dhe Ramiz Alia, Fatos Nano, por dhe të tjerët. Unë mendoj se ka pasur keqinterpretime dhe keqkuptime të cilat janë vazhduar të ushqehen edhe më vonë si steriotipet: “tradhtar” etj. Pra Rugova ka qenë nga ata realistë, i cili gjithashtu me ndihmën e amerikanëve, jo pa një sinjal të tyre, ka filluar trajtimin e oficerëve tanë në Shqipëri, por dhe në Kroaci e në vende të tjerë. Këto janë pikat e marrëveshjes që ka pasur Rugova me Ramiz Alinë. Kjo do të thotë që edhe Rugova edhe Alia e kanë ditur që nuk do të ketë një konflikt të armatosur në Kosovë përderisa vazhdonte lufta në Kroaci e në Slloveni. Gjithmonë ka qenë një koncept, jo vetëm i yni por dhe i amerikanëve dhe shteteve të tjera perëndimore që Kosova nuk guxon të përfshihet në një luftë. Të mos harrojmë kërcënimin e Bushit dhe vendosjen e vijës së kuqe. Pra sjellja e Rugovës apo sjellja e Shqipërisë duhet parë në kontekstin sesa e ka lejuar Perëndimi, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë kërcënim. Ndërkohë, në këtë rrafsh ka pasur gjithmonë lëvizje e grupe të ndryshme që kanë shkuar në Shqipëri herë me direktiva, herë pa direktiva për të zhvilluar aktivitetet të ndryshme. Por këto aktivitete më pas janë shfrytëzuar për çarje dhe për ndarje”.

Historiani

Jusuf Buxhovi lindi në Pejë më 4 gusht 1946. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, studime të cilat do t’i kalonte për t’u ndalur tek interesat dhe tërheqja e tij pas historisë. Ai e nisi karrierën e shkrimtarisë si poet dhe gazetar i kulturës në gazetën “Rilindja” në vitin 1967. Vazhdoi si korrespondent i saj në Gjermani deri në fund të vitit 1980. Në vitin 2006 u nderua me çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, për romanin “Kodi i dashurisë” si vepra më e mirë e vitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button