Kosova si Maqedonia, do të quhet ish-Republikë Jugosllave?

Negociatat në Bruksel, Qeveria merr ofertë nga Beogradi, faktin e pohoi edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Hapat e deritanishëm janë se do ta pranojë. Tahiri flet dhe për Rezolutën 1244, këmbëngul se ka gjetur “thembrën e Akilit”

Prishtinë, 1 Shkurt 2012 NOA/Rid Bulku – Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë një ofertë nga Beogradi në kuadrin e negociatave që po zhvillohen në Bruksel mes saj dhe shtetit të Serbisë. Këtë fakt e pohoi edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e cila nuk pranoi të japë hollësi të mëtejshme edhe pse la të kuptohet se oferta po shihet për tu pranuar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Nuk mund të flas për detaje sepse qëndrimet janë shumë larg”, tha Tahiri duke siguruar se nuk do të ketë tërheqje nga Republika. Kurse kumtoi: “Në bashkëpunimet rajonale do të përdoret modeli i Maqedonisë, por as Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika edhepse ka pranuar fusnotën si zgjidhje kalimtare derisa të zgjidhet kontesti i emrit”.

Në këtë mënyrë Tahiri ka pranuar se bëhet fjalë për ofertë që lidhet me emrin e Kosovës.

Aludimet janë se ndërsa Maqedonia njihet si FYROM, pra Republika ish Jugosllave e Maqedonisë, pikërisht oferta e Beogradit të lidhet me dëshirën serbe që Kosova të emërtohet Republika ish Jugosllave e Kosovës.

Tahiri ka përforcuar: “Modeli i Maqedonisë ka të bëjë me përdorimin e fusnotës, për sa i takon fusnotës, do të përdoret një realitet rajonal. Mirëpo as Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika, Republika e Maqedonisë ekziston por fusnota shpjeguese tregon një realitet”.

Më tej Tahiri tha se në praktikat ndërkombëtare mjafton të kesh një mospajtim, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme dhe shtoi: “Sa do që ndryshojnë mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, ka mospajtime edhe mes Maqedonisë dhe Greqisë, andaj është gjetur një formulë kalimtare. Mirëpo ajo që unë ju garantoj është se marrëveshja për bashkëpunim rajonal bëhet e pranueshme për ne vetëm me këto kushte, që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, institucionet e Kosovës të përfaqësohen në bashkëpunime rajonale, dhe të nënshkruajnë vetë, për dallim nga e kaluara që këto i ka bërë në pjesën më të madhe UNMIK-u me rezolutën 1244. Prandaj nuk pranojmë çfarëdo reference në Rezolutën 1244”.

Duke u ndalur tek kjo rezolutë, Tahiri këmbënguli se ka gjetur “thembrën e Akilit” kur argumentoi: “Ne jemi realistë dhe kërkojmë marrëveshje që korrespondojnë me realitetin. Rezoluta 1244 është e tejkaluar si në kuptimin juridik ashtu edhe në kuptimin politik. Serbia nuk ka të drejtë juridike të thirret në rezolutën 1244 sepse është miratuar në 1999 kur nuk ka ekzistuar Serbia si shtet. Në ato kohë ka ekzistuar një shtet tjetër, i cili është zhbërë dhe prej tij kanë lind Mali i Zi dhe Serbia. Prandaj, juridikisht Serbia nuk është trashëgimtare e atij shteti, dhe nuk ka të drejt juridike të thirret në atë rezolutë. Këto janë argumentet tona pse ne themi që marrëveshja duhet të korrespondojë me realitetin e lindjes së shtatë shteteve të reja nga ish-Jugosllavia”.

E pra nëse një gjë e tillë do të ndodhte, pra Kosova do të quhej Republika ish Jugosllave e Kosovës, për më tepër tani që Republika e Kosovës është njohur nga afro 90 shtete dhe gëzon maksimalisht mbështetjen ndërkombëtare, kjo do të ishte një skemë e papranueshme nga shqiptarët këndej e andej kufirit dhe e pafalshme për politikanët që drejtojnë sot Kosovën.

Ndiqni pyetje-përgjigjet e plota të takimit me media që kreu Tahiri të martën:

A keni nënshkruar marrëveshje për heqjen e barrikadave?

E para, marrëveshja për lëvizjen e lirë por edhe tregtinë e lirë bazohet në parimet themelore të BE-së. Në katër parime, lëvizja e qytetarëve, mallrave, ideve dhe kapitaleve.

Çdo shtet aspirant për BE e kupton mirë çdo të thotë lëvizja e lirë. Jam e bindur që këtë Serbia e ka parasysh. Për çdo shtet integrimi në BE nënkupton dy kushte, politikat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Jam e bindur se Këshilli Evropian kushtet i a ka bërë të qartë Serbisë, do të vazhdojë të bashkëpunoj me Serbinë nëse do të ketë bashkëpunime të mirë me Kosovën.

A ka një kufi sa do të presim? Si do të dilet nga kjo situatë?

Dialogu teknik është proces ndërkombëtar, zhvillohet mes dy shteteve por kemi edhe palën e tretë që është garantuese. Ne si qeveri jemi të përkushtuar për të dhënë kontribut për dialogun teknik dhe për të gjetur zgjidhje, si një mundësi shtesë drejt BE-së. Prandaj, ne mbetemi të përkushtuar, është e palës së tretë dhe ndërmjetësit evropian të vlerësoj për vendime të caktuara.

Cila ishte oferta e Beogradit? Çka do të shkruhet në fusnotë?

Nuk mund të flas për detaje sepse qëndrimet janë shumë larg. Mund t’u them se madje dikush nga mediet e shpalli marrëveshjen e arritur. Ndoshta ata dinë më shumë.

A do të vazhdoni me takime, nëse nuk arrihet kjo marrëveshje? Dhe ju keni deklaruar se keni heq dorë nga Republika?

Në citatet e mija nuk ka tërheqje nga Republika, por redaktimet politike dhe titujt kanë bërë tërheqje nga Republika. Unë kam thënë se në bashkëpunimet rajonale do të përdoret modeli i Maqedonisë, por as Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika edhepse ka pranuar fusnotën si zgjidhje kalimtare derisa të zgjidhet kontesti i emrit. Jo 20 vjet, por 100 vjet po luftojmë për liri e vetëvendosje, nuk ka asnjë faktor asnjë kusht që do të mund të bëjë që ky proces historik të ketë një kahje të padëshirueshme. Ne ,veçmas liderët që jemi sot në Qeveri, jemi liderë të luftës për pavarësi, prandaj çdo çështje që bëhet, duhet të bëhet bashkë dhe për interesa nacionale. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog teknik, kemi qenë konstruktiv dhe serioz, për të kontribuar që dialogu të jetë frytdhënës. Besoj që edhe ju do të keni durim të mjaftueshëm, për komunikime mediale kur kemi rezultate konkrete. Në këtë fazë qëndrimet janë shumë larg. Për ne vijë e kuqe është se nuk mund të ketë marrëveshje bazuar në Rezolutën 1244.

Si do të funksionojë modeli i Maqedonisë? Na jepni më shumë detaje për protokollin teknik me IBM-në?

Modeli i Maqedonisë ka të bëjë me përdorimin e fusnotës, për sa i takon fusnotës, do të përdoret një realitet rajonal. Mirëpo as Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika, Republika e Maqedonisë ekziston por fusnota shpjeguese tregon një realitet. Ajo që më duhet të jap si porosi sot është: Kujdes me këtë proces të ndjeshëm. Kontribuoni duke bërë komunikime, analiza mediale, dhe përçoni saktë proceset. Mendoj se kjo lidhet me interesat nacionale për të cilin çdo qytetar i Kosovës ka obligim të kontribuojë. John Kennedy thotë “mos pyet çfarë bën shteti për ty, por çfarë bën ti për shtetin tënd”

Në këtë fazë, Cooper po merr propozimet e dy palëve, edhe sot u konstatua se kemi qëndrime shumë të largëta. Por se çfarë do të ndodh në ditët në vijim, mbetet të shihet. Protokolli teknik do të jetë i ngjashëm sikur i modelit të Muriçanit, me fjalë të tjera, protokollit teknik mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sepse edhe marrëveshja e IBM-it e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ndjek konceptin e njëjtë të ndërtimit të ndërtesave të përbashkëta në gjashtë vendkalimet kufitare, dhe procedurat e njëjta që definohen. Pra, e tëra bëhet mbi traktatin e Lisbonës dhe ligjeve të BE-së për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.

Sa është e drejtë të merret si shembull Maqedonia, kur dihet se problemi te Maqedonia është vetëm emri dhe nuk i është vënë në pikëpyetje sovraniteti territorial, ndërkohë që Kosovës pikërisht kjo i vihet në pikëpyetje?

Në praktikat ndërkombëtare mjafton të kesh një mospajtim, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme. Sa do që ndryshojnë mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, ka mospajtime edhe mes Maqedonisë dhe Greqisë, andaj është gjetur një formulë kalimtare. Mirëpo ajo që unë ju garantoj është se marrëveshja për bashkëpunim rajonal bëhet e pranueshme për ne vetëm me këto kushte, që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, institucionet e Kosovës të përfaqësohen në bashkëpunime rajonale, dhe të nënshkruajnë vetë, për dallim nga e kaluara që këto i ka bërë në pjesën më të madhe UNMIK-u me rezolutën 1244. Prandaj nuk pranojmë çfarëdo reference në Rezolutën 1244.

Po thoni se për marrëveshje, duhet bërë edhe sakrifica. Nga çka do të hiqni dorë, për pajtim me serbët?

Ne jemi realistë dhe kërkojmë marrëveshje që korrespondojnë me realitetin. Rezoluta 1244 është e tejkaluar si në kuptimin juridik ashtu edhe në kuptimin politik. Serbia nuk ka të drejtë juridike të thirret në rezolutën 1244 sepse është miratuar në 1999 kur nuk ka ekzistuar Serbia si shtet. Në ato kohë ka ekzistuar një shtet tjetër, i cili është zhbërë dhe prej tij kanë lind Mali i Zi dhe Serbia. Prandaj, juridikisht Serbia nuk është trashëgimtare e atij shteti, dhe nuk ka të drejt juridike të thirret në atë rezolutë. Këto janë argumentet tona pse ne themi që marrëveshja duhet të korrespondojë me realitetin e lindjes së shtatë shteteve të reja nga ish-Jugosllavia.

Për sa i përket polisës së sigurimit, sidomos për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Unë i shtrova të gjitha çështjet lidhur me marrëveshjet e arritura, sigurisht që kam kërkuar edhe heqjen e tarifave sa më shpejt. Z. Cooper më premtoi se shumë shpejt do të ftoj në një takim ekspertët e kompanive të sigurimeve të të dyja shteteve dhe BE-ja do të jetë lehtësuese, në mënyrë që të ecim drejt një marrëveshje komerciale dhe të hiqen tarifat. Me fjalë të tjera, t’iu mundësohet qytetarëve që me polisat vjetore të sigurimeve të udhëtojnë në këto dy shtete.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close