Vetëvendosja: Kosova Lindore nuk është diasporë
Lëvizja Vetëvendosja deklaroi sot se ditë më herët, pas vizitës së fundit të Boris Tadiçit në Kosovë, intelektualët shqiptarë të Kosovës Lindore, të revoltuar nga neglizhenca që u bëhet nga liderët shqiptarë në rajon, kanë apeluar te Presidentja e Kosovës, te homologu i saj i Shqipërisë dhe te kryeministrat e dy vendeve të vizitojnë komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Qeveria e Kosovës në vazhdën e sjelljes arrogante ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës Lindore, edhe kësaj radhe e degradoi kërkesën e tyre duke ia deleguar këtë përgjegjësi Ministrit të Diasporës, Ibrahim Makollin, për vizitë në këto treva. Kjo vizitë e dështuar na e dëshmon joseriozitetin e lidershipit e Kosovës në raport me shqiptarët e asaj ane dhe mbi të gjitha na e dha për dëshmi edhe një rast më shumë për mungesën e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përderisa Serbia edhe zyrtarët shtetëror të Kosovës i ndalon dhe i kthen mbrapa, po këta të njëjtit I mundësojnë vizita zyrtarëve më të lartë serb, të cilët rregullisht prej territorit të Kosovës e shpallin atë pjesë të Serbisë”, thotë Vetëvendosja.
Sipas aktivistëve të saj, ne nuk i gëzohemi mungesës së reciprocitetit, mirëpo kjo vizitë do të ishte politikisht e dëmshme në nivel simbolik po të realizohej. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron t’i sqarojë Qeverisë se Kosova Lindore nuk është Diasporë dhe as nuk guxon të trajtohet si e tillë. Çdo ulje e nivelit të përfaqësimit e ulë edhe më tepër pozitën, tashmë shumë të rënduar, të shqiptarëve në Preshevë, Medevegjë dhe Bujanoc. “Veprimet e rëndësishme politike nuk guxojnë assesi të marrin peshën e veprimeve simbolike të cilat në suaza afatgjata reflektohen në trajtimin e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe me vetë peshën e fuqinë e ndikimit të liderëve shqiptarë në rajon tek shqiptarët e shpërndarë nëpër shtetet e tjera. Caktimi i Ministrit të Diasporës për t’i vizituar jep dy sinjale jashtëzakonisht të dëmshme: E para se këto treva nuk na qenkan treva shqiptare, se këto toka ne i paskemi në shfrytëzim të përkohshëm si mërgatë e jo që janë toka shqiptare padrejtësisht të ndara nga shteti amë. E dyta, shqiptarët në Kosovën Lindore nuk i gëzojnë të njëjtat të drejta e të njëjtat standarde të cilësisë jetësore që i gëzojnë shqiptarët që janë diasporë në vendet evropiane”, nënvizon Vetëvendosja. Lëvizja VETËVENDOSJE! në përputhje me vendimin e Kuvendit të Kosovës konsideron se është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të krijojë kushtet për reciprocitet të plotë me Serbinë për të plotësuar kërkesat e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e për të përmbushur kështu edhe një obligimin kombëtar e moral.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”