Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Bomba kohore etnike në Maqedoni

JANUSZ BUGAJSKI
Rreziku më i madh me të cilin ballafaqohet Republika e Maqedonisë nuk është as kontesti rreth emrit me Greqinë, as mospërfshirja në NATO në samitin e Çikagos në muajin maj. Mbi të gjitha, Shkupi nuk mundet të lejojë të tëhuajësojë komunitetin shqiptar, që përbën gati një të tretën e popullsisë. Një konflikt i tillë mund të kulmojë me ndarje territoriale.

Koncesion pa vlerë Dhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën është dashur të përfundojë lufta guerile, janë shtuar incidentet e dhunshme, kurse pakënaqësia e shqiptarëve me kushtet politike dhe ekonomike është në rritje. Këtu është edhe ndjenja e gjithëpranishme  se marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar në vitin 2001, në fakt ka qenë koncesion pa vlerë e jo përmirësim i padrejtësive afatgjate ndaj shqiptarëve si qytetarë të rendit të dytë.
Edhe pse në dhjetë vitet e fundit është arritur shumë, përfaqësuesit shqiptarë theksojnë se ende nuk janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në të gjitha institucionet shtetërore, dhe se komuniteti i tyre joproporcionalisht është goditur nga papunësia dhe nga pabarabarësitë e ndryshme ekonomike.
Disa faktorë shtesë e kanë rrënuar lojalitetin e shqiptarëve ndaj shtetit maqedonas. Këtu përfshihen rritja e nacionalizmit sllavo-maqedonas, ndikimi i konsiderueshëm të Kishës Ortodokse Maqedonase, dobësimi i pavarësisë së medieve dhe gjyqësorit, numri i kufizuar i shqiptarëve në pozita të larta në institucionet shtetërore dhe ndërmarrket publike, pengesat ndaj decentralizimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe.
Fushata qeveritare për e “renesansë kombëtare” dhe programi i shtrenjtë i rindërtimit urbanistik janë të fokusuar në mbrojtjen e identitetit ët posaçëm maqedonas dhe potencon pasurinë e lashtë e cila i anashkalon shqiptarët dhe pakicat tjera. Tentimet që maqedonasit që flasin sllavisht të tregohen si pasardhës të drejtpërdrejtë të Maqedonasve të lashtë jo vetëm që kanë rritur konfliktin me Greqinë, por kanë kontribuuar për tëhuajësimin e komuniteteve tjera. Liderët shqiptarë thonë se Aleksandri i Madh nuk ka qenë as sllav e as grek, por me prejardhje iliire, popull prej të cilit e kanë prejardhjen shqiptarët.
Nëse programi i sponsorizuar zyrtarisht i “renesansës kombëtare” realizohet edhe me çmimin e integrimit në NATO dhe BE, ku Maqedonia bllokohet nga Athina, kjo mund ta delegjitimojë shtetin para shqiptarëve. Me këtë do të shtohen kërkesat për federalizim, e madje edhe për ndarje. Disa anëtarë të opozitës shqiptare veçmë kanë kërkuar “federalizim joterritorial ” dhe Parlament dydhomësh që do t’i përshtatej aspiratave shqiptare.
Kolona e pestë 
Të drejtat të cilat u janë dhënë shqiptarëve në bazë të Marrëveshjes së Ohrit , poashtu kanë gjeneruar pakënaqësi mes maqedonasve sllavë, posaçërisht mes atyre që kanë ndjenjën se e kanë statusin e privilegjuar në sektorin shtetëror. Shumica i shohin shqiptarët si kolonë e pestë e cila planifikon ndarjen e Maqedonisë dhe bashkimin e territorit me Shqipërinë dhe Kosovën. Në rast të stresit ekonomik, mund të manipulohet politikisht me këtë dukuri për të shkaktuar konflikte të brendshme etnike. Sipas disa anketave, mbi dy të pestat e maqedonasve dhe shqiptarëve besojnë se ekziston rrezik i lartë nga një konflikt i dhunshëm etnik.
Javët e fundit, ministria maqedonase e punëve të brendshme ka apeluar për paqe pas një varg sulmesh ndëretnike ndaj autobusëve të qytetit ë Shkup. Tensionet kanë eskaluar pas një karnavali fshati në janar në Maqedoninë Perëndimore , gjatë të cilit disa pjesëmarrës kanë bartur maska të cilat e përqeshin islamin. Incidenti ka shkaktuar protesta të dhunshme të muslimanëve sllavë dhe shqiptarë. Protestuesit kanë sulmuar autobusë, kanë përbuzur flamurin maqedonas dhe kanë djegur një kishë ortodokse. Edhe pse udhëheqësit muslimanë kanë apeluar për përmbajtje, ata poashtu kanë akuzuar qeverinë se po promovon islamofobi.

Askush nuk është i sigurt nëse dhuna është spontane ose e kanë projektuar lojtarët politikë të cilët dëshirojnë nxitje të konfliktit. Politika shpeshherë bazohet në psikologjinë e frikës dhe pasigurisë, kurse manipulimi me këto emocione mund të përshpejtojë spiralen e pandalur të konfliktit në Maqedoninë e ndarë.


Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button