100 vjet shtet shqiptar, GKA shpall konkursin për logon
Pak ditë pas mbledhjes më të fundit të Komitetit Shtetëror për organizimin e festimeve kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur konkursin kombëtar për realizimin e logos “100 Vjet Shtet Shqiptar”.
Kjo logo do të shoqërojë të gjitha shkresat zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, pas miratimit në Këshillin e Ministrave.
Në konkurs janë ftuar të marrin pjesë artistë, studio grafike dhe subjekte (fizikë apo juridikë) me kombësi shqiptare, por jo nxënës dhe studentë.
Konkurentët mund të paraqesin deri në 5 punime origjinale dhe data e fundit për dorëzimin e tyre në Galerinë Kombëtare të Arteve, është 27 dhjetori 2011.
GKA thekson se punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autenticitetin e tyre para ligjit.
Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup.
Punimi i Logos, së bashku me shkrimin “100 vjet Shtet Shqiptar”, duhet të jetë shprehje artistike figurative dhe grafike dhe duhet të paraqitet në formën e bocetit me ngjyra, në përmasa jo më të vogla se 10 x 10 cm, i vendosur mbi një format A4 dhe njëkohësisht i hedhur edhe në formë elektronike në CD.
Ngjyrat kryesore që duhet të dominojnë konceptimin e kësaj logoje duhet të jenë ngjyrat e flamurit kombëtar, e kuqja dhe e zeza, por ato mund të kombinohen edhe me ngjyra të tjera të zgjedhura nga artisti.
Punimi mund të paraqitet:
I punuar me ngjyra mbi letër
I printuar nga kompjuteri.
Secili prej këtyre formateve duhet të paraqitet dhe në formë elektronike.
Secili bocet i paraqitur duhet të jetë i nënshkruar nga autori apo grupi i autorëve.
Galeria Kombëtare e Arteve bën me dije se juria e Konkursit do t’i shqyrtojë punimet për një ditë të vetme, pra deri më 28 dhjetor.
Ndërkohë, një ditë më vonë, pra të enjten e 29 dhjetorit, do të shpallet fituesi i Konkursit.
Juria e Konkursit e miratuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përbëhet nga pesë anëtarë, personalitete nga fushat e artit dhe kulturës.
Vendimi i jurisë do të jetë publik, i formës së prerë dhe i paankimueshëm.
Vlerësimi artistik i Çmimit fitues është 300.000 lekë, ku përfshihen edhe taksat e aplikueshme, ndërsa boceti fitues bëhet pronë e fondit të GKA-së.
Sipas ligjit, me përfundimin e Konkursit dhe shpalljes së bocetit fitues, ndërmjet artistit dhe GKA-së lidhet Kontrata për Pagesën ku subjektit fitues në bazë të Ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, nuk i njihet e drejta e përfitimit material të mëtejshëm për përdorimin e veprës së tij nga ana e Shtetit Shqiptar.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”