Historia e “grabitjes” se arit shqiptar ( fakte dhe dokumenta arkivore)
Nga KASTRIOT DERVISHI
Një ndër krimet më të njohura të regjimit komunist në Shqipëri, me karakter sa ekonomik aq edhe politik, është edhe grabitja e madhe e floririt që ndodhi kryesisht në vitet e para të regjimit, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakomshëm të luftës”. Kjo grabitje masive përveç shkatërrimit shoqëror solli edhe pasojën e paevitueshme të shkatërrimit ekonomik, duke i hequr vendit një shans jo të vogël në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të tij. Duke qenë se organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar si shumë të grabitjes së tyre shifrën e 43.816.682 monedhave të sekestruara, dhe duke pasur parasysh se hyrjet e arit në Thesarin e Shtetit kanë qenë të vogla apo të papërfillshme, formulohet natyrshëm pyetja se ku shkoi gjithë ajo sasi ari që grabitën komunistët pas lufte. Dhe jo vetëm kaq por edhe sepse një pjesë e konsiderueshme e këtij ari, në periudha të ndryshme ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste, në majat e së cilës ndodheshin padyshim Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe më pas edhe Ramiz Alia. Ky dossier merr përsipër të zgjidhe sa është e mundur enigmën e madhe të grabitjes së arit shqiptar nga komunistët. Për të pasur një vizion sa më të plotë historik, nuk do të lemë jashtë vëmëndjes edhe ndriçimin e të vërtetës në lidhje me falsifikimin e historiografisë komuniste që ka akuzuar Mbretin Zog si “vjedhës të floririt më 7 prill 1939″.
Po ashtu nuk do të lemë jashtë objektit të dosserit edhe historinë e arit që u ruajt nga gjermanët në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Po këtu do të botojmë edhe marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe të asaj gjermane më 6 prill 1944 në lidhje me këtë ar.
Sigurisht që trajtimi i këtij dosseri në formën e mësipërme ndër të tjera merr përsipër të tregojë se nuk ka qenë e vërtetë që Shqipëria ka qenë një vend i varfër apo i shkatërruar siç i interesonte ta paraqiste regjimi komunist. Një vend i mbuluar me një sasi të madhe floriri nuk mund të quhet kurrsesi vend i varfër.
Shqipëria vendi i floririt
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, fondet monetare të ngelura në qarkullim (duke përfshirë këtu edhe depozitat) ishin ato të trashëguara nga sistemi monetar i Perandorisë Osmane, i përshtatur ky që nga viti 1844 e mbrapa. Monedha ishte Lira Otomane ari që vlerësohej në 100 grosh argjent (pjastres argent). Për shkak të situatave të paqëndrueshme dhe për shkaqe të luftrave të ndryshme, në Shqipëri edhe pas vitit 1913 e deri në vitin 1926 qarkulluan monedha të shteteve të ndryshme.
Këto monedha kanë qenë me vlerë dhe emëritim të ndryshëm si menduhie, 5 frangëshe, 10 frangëshe, 20 frangëshe (napoloni), lira angleze (25 franga) lira turke (22 franga)
Në fillimet e stabilitetit të shtetit shqiptar, më 6 maj 1920, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr. 273 vendosi për herë të parë nxjerrjen e monedhës shqiptare në bazën e frangut të arit. Mbi bazë të një kursi të caktuar filloi edhe grumbullimi i monedhave të huaja. Kështu një stërlinë u vlerësua me 25 franga ari, një lirë otomane me 22 franga ari etj.
Në vitin 1922, profesor Kalmes paraqiti para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë me kërkesë të kësaj të fundit, një raport të rëndësishëm të Komisionit Financiar të Lidhjes, ku ndër të tjera në lidhje më Shqipërinë thuhej:
“….Shqipëria zotëron një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara 50 ? 100 milion frangash ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stolira….” (shih dosjen nr 2 të Fondit të Bankës së Shtetit). Sipa librit “Financa dhe krediti në RPSH”, në vitet 1922 ? 1925, në Shqipëri kishte në qarkullim e në thesar një sasi prej 100 milion frangash ar. E përkthyer ndryshe, shifra e mësipërme ka si minimum të saj një sasi prej 320 tonësh ar.
Përsa i takon disiplinimit monetar situata pati një ndryshim të dukshëm në vitin 1926 kur hyri në fuqi ligji organik i Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ai i rregullimit të monedhës i miratuar më 12 korrik 1925 nga Dhoma e Deputetëve. Ndonëse u përjashtua plotësisht përdorimi i monedhave të huaja në marrëdhëniet zyrtare, pati mjaft individë që pëlqyen të ruajnë një sasi jo të vogël të këtyre monedhave. Në vitin 1926 u vunë në qarkullim monedhat metalike me vlerë 100 franga ar, dhe një vit më pas ajo me vlerë prej 20 franga ari.
Në vitet 1935 dhe 1937 pati një hedhje në qarkullim të mbi 1,5 milion monedhash që në shumicë përbëheshin nga argjendi, ari dhe pak nga bronxi.
Sipas dokumentave shtetërore në fund të vitit 1938 gjendeshin në thesarin e shtetit 2400 kg ar (ose 378 mijë napolona sipas kursit 1 napolon baraz me 20 franga ari).
Sikurse vihet re me lehtësi, qytetarët shqiptarë zotëronin shumë herë më tepër ar (mbi 100 herë) sesa kishte thesari i shtetit.
Përshtypje të veçantë i kishin lënë Viktor Emanuelit të III?të gjatë vizitës që ai kreu në Shqipëri në maj 1941, zbukurimet e shumta që përdornin shqiptarët në rrobat e tyre më ar. Për vetë Emanuelin kjo kishte qenë një befasi e madhe dhe e paimagjinueshme.
Po ashtu në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tregëtarët shqiptarë ruajtën dhe i forcuan pozitat e tyre ekonomike. Në mbarim të luftës, Shqipëria rezultonte si vendi më i pasur i Ballkanit sidomos përsa i takonte rezervave të arit dhe rezervave të tjera ekonomike. Po ashtu rezultonte se në pushtet kishte ardhur klasa më kriminale politike që kishte pasur ndonjëherë vendi.
E vërteta në lidhje me thesarin e “grabitur” nga Mbreti Zog
Regjimi komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër punët më të mbrapshta të tij ishte edhe grabitja masive e arit qytetarëve shqiptarë, burgosja apo pushkatimi i tyre. Nga ana tjetër për të dhënë një imazh krejt tjetër të hajdutit, për 50 vjet me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e “vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar, kishte lënë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939. Dhe një gënjeshtër të tillë e fabrikonin dhe e mbronin pikërisht ata që kishin vjedhur një sasi ari që llogaritet në 320 tonë. Në fakt askush nga propaganduesit e kësaj teze nuk e ka ditur që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëjmë fjalë ndodhej në Romë dhe jo në Tiranë.
Sipas dokumentave zyrtare, ministri i Financave Kolë Thaçi (1886 ? 1941) ka tërhequr sipas të gjitha rregullave shtetërore, me autorizimet 2031/65 dhe 2031/79 (të datave 31 mars dhe 3 prill 1939), shumën e 448.535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të Mbretit Zog. Në lidhje me këtë drejtori i thesarit Kel Naraçi në relacionin 73/1 të datës 6 qershor 1939, thotë:
“I nënshkruemi Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm Ramadan Berberolli pritshin në zyrë sipas telefonatës të ish kryeministrit (Kostaq Kotta). Pas pak arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqnuem nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoci, i cili …….ftoi të nënshkruemin (K.N) dhe arkëtarin e përgjithshëm që ta shoqëronin tek Mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxorrën nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoci, i cili fut në strajca sasinë e tregueme më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish ministrit Kolë Thaçi do të merrej në dorëzim me proces ? verbal të nënshkruem prej pjestarëve të Këshillit Ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z.Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhaferr Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurti, Jani Dallamanga, Milto Noçka etj…….Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur…………Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem……..Ndërkohë meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin që ish në saketa në anë të tij. Në këtë rast arkëtarit Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë i shoqnuem prej togerit Selim Gjoci për t`i dhënë edhe ç`ndodhje tjetër në arkë si monedha, banknota, ar, etj, në dorëzim te Mbreti Zog dhe për t`i çuar në shtëpinë e Xhelalit. Z.Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 16.00 në shtëpinë e zotni Xhelalit për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog për të gjithë sasinë e arit e të monedhave që arrijshin 566.975 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nënshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.
Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më shumë se rrogën e një viti. Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj. Ky i fundit ka qenë edhe ndër njerëzit më të paguar (më 13 korrik 1942 për shëmbull ka marrë një mijë dollarë). Si provë për këtë kemi mundur të gjejmë edhe një pjesë të dëftesë pagesave të përdorura atëherë. Në këto deftesë pagesa figurojnë ndër emrat më njohur edhe Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj,
Për t`u kujtuar është gjithashtu fakti që pushteti i ri i vendosur pas 7 prillit 1939, sekuestroi edhe shumën e 20 mijë frangave ari të Mbretëreshës Geraldinë, shumë e cila ndodhej në Bankën e Shqipërisë dhe që nuk ishte tërhequar nga poseduesja. Dekreti i ministrit sekretar shteti për Drejtësinë doli më 16 shtator 1939 dhe u botua në “Fletorja Zyrtare” më 5 dhjetor 1939, pasi është mbajtur si “sekret” për disa javë.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”