Artikulli më poshtë është marrë nga revista investigative L’Espresso. Flet mbi dëshminë e Gaetano Vassallo. Ne shqiptarët ndoshta e dëgjojmë për herë të parë. Por më shumë se emri, na flet ajo që ky person ka bërë. Ai është biznesmen që prej 20 vitesh është marrë me plehrat në Itali. Por, që prej shtatorit 2008 ai është një i penduar i mafias në duart e drejtësisë italiane. Ka rrëfyer se si ka drejtuar nën koperturën e përpunimit të mbetjeve të ligjshme dhe riciklimit, trafikun e mbetjeve toksike të ndërmarrjeve të veriut Italian për llogari të klanit mafioz të Kazalezëve (Casalesi). Dhe ka nxjerër deri tani dy emra të rëndësishëm për Italinë. Janë në qeverinë e Berluskonit. Nicola Cosentino e Luigi Cesaro. I pari, nënsekretar për Ekonominë, i dyti deputet. Më poshtë, artikulli i plotë ku flitet për dëshminë e biznesmenit bashkëpunëtor të drejtësisë. Për të kuptuar se sa vështirë është të ndash në këtë biznes miliardash, politikanin nga mafiozi, biznesmenin riciklues nga zhdukësi i mbeturinave toksike. Shqipëria, miraton sot në Kuvendin e saj, ligjin që lejon importin e plehrave, ku një nga lobuesit më të fortë ka qenë pikërisht Italia fqinje.
Marrë nga L’Espresso / Itali
Shkrimi në origjinal: espresso.repubblica.it/cosi-ho-avvelenato-napoli
Përktheu M.Alla
“Kam frikë për jetën time dhe për këtë arsye kam vendosur të bashkëpunoj me drejtësinë dhe të them gjithë çfarë më takon mua, edhe mbi krimet që kam kryer vetë. Në veçanti, kam parasysh vendshkarkimet ilegale të atyre mbetjeve të veçanta, toksike dhe të dëmshme, duke filluar që nga vitet 1987-88 në 2005 e nw vazhdim. Vendshkarkime të realizuara në gurore, në terrene të virgjër, në zona të paautorizuara, të cilat mund t’i dëshmoj konkretisht, e ku kam pasur dorë edhe unë…”
Niskështu rrëfimi më i habitshëm i shkatërrimit të një krahine të tërë: njëzet vjet me helme të fshehura ngado, që kanë kontaminuar tokën, ujin dhe ajrin e Campania-s, e cila ka si kryeqendër Napolin. Njëzet vjet me parátë lumë, të cilat konsoliduan pushtetin e casalesi (kazalezëve), të cilët u bënë praktikisht monopolizues të këtij biznesi të pistë dhe fitimprurës. Dëshmia shokuese e një çmendurie kolektive, që duke nisur nga fundi i viteve ‘80 ka shtyrë kryetarë bashkish, pasanikë dhe fshatarë të mbjellin skorje toksike në fshatrat mes Napolit dhe Casertës. Bashkë me qeverinë, e cila në emër të “emergjencës” e ligjëroi këtë ferr.
Gaetano Vassallo ka qenë shpikësi i këtij trafiku: sipërmarrës që iu ka hapur udhën mbetjeve toksike të ndërmarrjeve të Veriut të Italisë. Dhe ka administruar këtë biznes të madh për llogari të familjes Bidognetti, duke njohur ngritje-ulje në perandorinë e Gomorrës.
Klientët e parë i ka gjetur në Toscana, në ndërmarrjet fiorentine. Kontrollet nuk kanë përbërë kurrëfarë problemi: deklaron se përgjegjësit i ka paguar mirë. Edhe me politikën ka ndwrtuar raporte dhe investime, duke marrë madje edhe kartën e anëtarësisë tek Forza Italia (partia e Berluskonit).
Rrjeti i mbrojtjes
Kur Vassallo u paraqit tek gjyqtarët e Antimafias së Napolit ishte prill. Saktësisht dy muaj më pas, Michele Orsi, një nga protagonistët e dëshmive të tij u vra nga një komando e vrasësve kazalezë. Dhe 42 ditë më pas Nicola Cosentino, parlamentari më i rëndësishëm i cituar prej tij në gjyq, u bë… zëvendëssekretar i qeverisë Berluskoni.
Vassallo nuk u shqetësua. Ka vijuar së mbushuri dhjetëra fjalë akuzash, të cilat janë shfaqur në praninë e një grupi të drejtorisë së anti-mafias napolitane dhe të skuadrës së specializuar të forcave të rendit: policë, financierë, karabinierë dhe Dia. Deri tani rezultatet nga dëshmitë e tij kanë qenë të shumta: për hetuesit rezulton tepër i besueshëm.
Edhe për faktin se ka ruajtur kuti me dokumente, kontrata e pagesa, për t’i dhënë fuqi dhe besim fjalëve të tij. Dokumente që provojnë shkatërrimin e tokave të Kampanias, kërcënimin e shëndetit të mijëra qytetarëve njëherësh. Si është e mundur gjithë kjo?
“Në rrjedhën e viteve, të paktën deri në 2002, kam punuar në shfrytëzimin e ish-vendshkarkimit të Giugliano, bashkë me vëllezërit e mi, duke korruptuar arkitektin Bovier të qeverisë dhe inxhinierin Avallone të Arpac (Agjencia Shtetërore e Mjedisit). I pari është shpërblyer vazhdimisht për shkak se ai i lejonte duke falsifikuar certifikatat apo deklaratat e vlerësimit, që të gjithë mbetjet që hidheshin në mënyrë të paligjshme të dukeshin konform me materialin e ricikluar. Ka marrë gjithsej 70 milionë. Inxhinier Avallone ishte praktikisht ‘i punësuar’ me tre milionë në muaj, duke qenë njëkohësisht i ngarkuar edhe me zbatimin e projektit të përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve të shkarkuara, projekt që na lejonte të mbulonim formalisht hedhjen e paligjshme të mbeturinave.
I penduari i madh i helmimit masiv flet edhe për njerëz të forcave të ligjit ‘në dispozicion’ dhe për dhjetëra kryetarë bashkish të paguar. Ka aty deri edhe funksionarë të Casertës, që firmosin licenca për ente që janë jashtë territorit të tyre. Një listë pa fund ryshfetesh, të paguara nëpërmjet kanalesh nga më të ndryshmet: nga gratë e patriarkëve, deri në pjesëmarrjen edhe të levës së fundit politike në sipërmarrjet e mbetjeve.
Mosha e arit
Vassallo di gjithçka. Pse për njëzet vjet ka qenë “ministri i mbetjeve” të Francesco Bidognetti-t, njeriu që së bashku me Francesco Schiavone dominon klanin mafioz të casaleswve. Në fillim helmet përfundonin në një vendshkarkim të autorizuar, atë të Giugliano-s, i menaxhuar ligjërisht. Skorjet vinin sidomos nga ndërmarrjet industriale të Toscanas, mbi kamionë të ndërmarrjes së Elio dhe Generoso Roma-s. Gjendej edhe një segment me të gjitha mbetjet e veçanta, të ardhura prej autoveturave të prishura; lumenj me vajra të dëmshëm.
Protagonistët janë këmishëbardhët, të cilët huajnë emrat për padrinot e arratisur, i fshehin në vilat e tyre dhe transmetojnë urdhrat e bossave nga burgu. Në praktikë i penduari akuzon të gjitha ndërmarrjet kampaneze që kanë operuar në këtë sektor, duke cituar deri në hollësi. Gjen aty avokatin Cipriano Chianese. Gjen Gaetano Cerci-n “që për më tepër mbetet në kontakt me Licio Gelli dhe me më zëvendësin e tij, siç më ka referuar dhjetë ditë më parë”.
Rrëfimi është i ankthshëm. Fitime kolosale. Duket se zona mes Napolit dhe Kasertës u godit nga ethja e re e arit. Të gjithë vrapojnë të derdhin lëngje toksike, duke u shtirur si riciklues. “Nga fundi i viteve ‘80 çdo klan ishte organizuar autonom për të groposur ngarkesat me mbetje në vendshkarkime abuzive. Deri tani është zbuluar vetëm njëri nga grupet, por qenë sisteme paralele, të menaxhuara edhe nga familje të tjera”.
Ka trafikantë ‘fai-dai-te’, të cilët hedhin lëngje të qelbura në fushat e kultivuara, mu në mes të ditës. Fshatarë që ujitin dhe ofrojnë frutat e tyre mbi autobotët e vdekjes. Dhe nëse dikush proteston, ndërhyjnë kamorristët me mitraloz në dorë.
Banalizimi i së keqes
Kush, si Vassallo, posedon një vendshkarkim të lejuar, e shfrytëzon në pafundësi. Sistemi është tmerrësisht banal: në lejet që jepen nuk tregohet pozicioni i saktë i zonës për derdhje, as perimetri i saj. Kështu hapësirat boshe janë trefishuar. “Gjithë derdhjet e mbetjeve të Campana-s kanë vijuar të hidhen në këtë mënyrë në mënyrë abuzive, duke përdorur autorizime të thjeshta. Natyrisht, duke u krijuar zona të reja me mbetje, unë e humba interesin për të rregulluar territoret që të bëheshin të mbrojtura, të papërshkueshme; nuk është realizuar asnjë sistem kontrolli i rrjedhjeve dhe asnjë vaskë e mbledhjes së tyre, kështu që asnjëherë nuk është bërë ndonjë kontroll edhe për mbetjet e për t’i bërë ato të shëndetshme”. Në një nga këto vrima gjysmëligjore Vassallo tregon se ka varrosur vetë një milion metra kub me mbeturina të rrezikshme.
Aspekti më absurd është që gjatë emergjencës së mbeturinave të Napolit, gjithë këto ngarkesa – ato të ligjshme dhe satelitët abuzivë – u shpronësuan nga qeveria për t’iu bërë vend mbeturinave të qytetit të Napolit. Ndaj sipërmarrësit të shumëhetuar të Kamorra-s, Vassallo, shteti jep kompensime të majme: gati dy milionë e gjysmë euro. Dhe pisllëku ngjitet kështu në sarkofagun e helmeve, duke krijuar një dëm edhe më të rëndë.
“Mbetjet për të cilat na kontraktonte direct qeveria i vendosëm në një lartësi të madhe; zona më pas ‘u sistemua’, edhe pse mbetën të groposura nën tokë mbeturina të veçanta (duke përfshirë edhe ato toksike), pa asnjë hidroizolim. Nuk është bërë kurrë ndonjë studim serioz për cilësinë e ujit të shtresave nëntokësore. Dhe kjo zonë është me zë për prodhimet e saj bujqësore.”
Importi i skorjeve të rrezikshme
Importuesit e skorjeve të rrezikshme kanë lidhje të forta. “Në atë periudhë vetëm nga unë fituan dy miliardë”. Llogaria është e thjeshtë: qenë fshehur 200 mijë tonelata me substanca toksike. Kjo vetëm në nyjën Vassallo-Casalesi, pa llogaritur bossët e tjerë napoletanë, që e nisën biznesin duke filluar nga Mallardo.
“Kur vendshkarkimet mbusheshin plot, mbetjet groposeshin ngado. Në këto raste, sipërmarrësit subjektivisht anashkaloheshin, por ndonjëherë na kërkohej përdorimi i vulave tona në mënyrë që të mbulohej dhe justifikohej prej sipërmarrësve asgjësimi i mbetjeve nga Veriu i Italisë… Mbaj mend mbeturinat e Acna nga Cengio, të cilat ishin asgjësuar në vendshkarkimin tim për 6.000 kuintalë. Por ngarkesat e mëdha të Acna menaxhoheshin nga avokati Chianese: trajtonte 70 apo 80 kamionë në ditë. Rreshti i kamionëve ishte i tillë që formonte një rresht rreth një kilometër e gjysmë”.
Një tjetër valë e madhe na mbërriti në fund të 2001 dhe fillim të 2002: “Bëhej fjalë për një përzierje të lagësht që vinte prej punimit të mbetjeve solide urbane, të copëtuara, duke përmbajtur shumë plastikë dhe xham”. Dhjetëra kamionë të ardhur nga një impiant publik: Vassallos i thoshin se vinin prej Milanos. Më pas zhduken me shpejtësi.
Pakti me politikën
Në dëshmi flitet për vëllezërit Michele dhe Sergio Orsi, sipërmarrës me lidhje të forta në ngrehinat e pushtetit: i pari është vrarë në qershor. I penduari Vassallo shkon përtej: “Rrëfej se kam vepruar për llogari të familjes Bidognetti, si referues i tyre në kontrollin e shoqërisë Eco4, e menaxhuar nga vëllezërit Orsi. Vëllezërve Orsi u ishte lidhur një pagë mujore prej 50 mijë euro. Mund të them që shoqëria Eco4 kontrollohej nga deputeti Nicola Cosentino. Edhe deputeti Mario Landoldi kishte interesa atje. Cosentino u paraqit vetë personalisht për të marë një rryshfet nga Sergio Orsi. Takimi ndodhi në shtëpinë e këtij të fundit në Casal di Principe. Cosentino e mori shumën në një zarf të verdhë dhe Sergio më informoi se çfarë kishte brenda”.
Deputeti Cosentino javën e kaluar ka shoqëruar Berluskonin në takimin e fundit me turmën napoletane: “Njohja ime me Cosentino i përket viteve ’80, kur ai sapo kishte dalë nga partia si kandidat për provincën. Kujtoj që në atë rast u kontaktua nga Bernardo Cirillo, i cili më thoshte se duhej të organizonim një takim elektoral për Cosentino, i cili ishte një nga kandidatët ‘tanë’, një kandidat i klanit Bidognetti. Në veçanti Cirillo specifikoi se qe pikërisht ‘xhaxhai’, ai që ia kishte dërguar këtë mesazh”.
“Xhaxhai”, siç shpjegon, është Francesco Bidognetti: i dënuar me burgim të përjetshëm, në të njëjtin regjim burgu të Toto Riina dhe Bernardo Provenzano. Zgjedhjet në provincën e Casertës, qenë hapi i dytë në karrierën e Cosentinos, avokat, sot lideri i Pdl dhe zëvendëssekretar i Ekonomisë.
“Ju bëj me dije se kam kartën e anëtarësisë të ‘Forza Italia’ dhe falë meje janë anëtarësuar shumë njerëz të tjerë. Më ka ndodhur në dy raste të sponsorizoj fushatën elektorale të Cosentino. I kam ofruar darka në restorantin e vëllait tim, darka të kushtueshme me qindra të ftuar. E kam mbështetur në 2001 dhe e kam takuar shpesh pasi u zgjodh anëtar i Parlamentit” – tregon i penduari Vasallo.
Por kur u shfaq për të kërkuar një ndërhyrje për të rihyrë në lojën e madhe të plehrave, strukturat kriminale kishin ndryshuar. Projekti më i rëndësishëm u zhvendos në territorin e ‘Sandokan’ Schiavone. Parlamentari gjithsesi e merr në shtëpi dhe i ofron një zgjidhje të improvizuar: “Cosentino më tha se duhej të përshtateshim me zgjedhjet e bëra ‘në kupolë’ nga casalesët, që kishin vendosur të realizonin termovalorizatorin në Santa Maria La Fossa. Më tha se tani duhej t’i jepte përparësi grupit Schiavone në menaxhimin e mbetjeve dhe për rrjedhojë të nxirrte anash grupin Bidognetti e kësisoj, edhe mua”.
Por Vassallo nuk u dorëzua. Është mësuar të bjerë dhe të ringrihet. Në njëzet vitet e fundit është arrestuar tri herë. Nga 1993 pas çdo sulmi e pasonte një periudhë bllokimi. Më pas, brenda dy vjetëve, një emergjencë që i rihapi dyert plehrave.
“Qeshë dënuar në shkallën e parë dhe liruar nga apeli. Por unë isha i fajshëm”. Një situatë paradoksale: edhe ndërsa është duke rrëfyer krime të urryera, ai ka marrë nga shteti si i dënuar gabimisht një dëmshpërblim prej 1 milion e 200 mijë euro. Dhe paralajmëron: “Më mirë i bllokoni që tani që po rrëfehem, se vëllezërit e mi do t’i zhdukin…”.