Pollo pranon: Censusi mund të shtyhet, ka shumë të pa regjistruar
Procesi i regjistrimit sipas të gjitha gjasave mund të shtyhet. Kjo pasi në terren nuk ka përfunduar ende mbledhja e të dhënave. 21 tetori ishte e dita e fundit e censusit të popullsisë dhe banesave, por volumi i madh i punës dhe numri më i lartë se parashikimi i banesave në qytetet e mëdha, ka bërë që INSTAT të mendojë për një afat të dytë. Këtë mundësi e konfirmon dhe ministri Genc Pollo. Gjithcka do të përcaktohet të shtunën në mesditë. Sipas ligjit, regjistrimit në terren mund t’i jepet edhe vetëm një javë shtesë.
“Mundësitë janë dhe unë do i bëja thirrje dhe këtë ditë se kush për një arsye ose një tjetër, se nuk ka mundur, ose ka pasur një mendim të caktuar, është rasti për të bërë deklarimin, sepse nëse numërohesh, atëherë ekziston. Nëse numërohesh dhe figuron në statistikat e shtetit atëherë edhe shteti mund të bëjë dicka për ty”, tha Genc Pollo.
Sipas Ministrit të Teknologjisë dhe Inovacionit, i cili ka qenë edhe propozues i ligjit te censusit, parregullsitë kanë qenë sporadike dhe nuk e kanë cenuar thelbin e procesit.
“Nëse janë të vërteta janë gjëra periferike nëse në 3 mijë raste ndodh 1 rast problematik, media tenton të shkojë drejt sensacionit. Po të shikosh si ka ecur censusi në Shqipëri dhe në vende të tjera, unë do thoja me plot gojën se ne kemi një nga proceset më cilësore në rajon”, vijoi Pollo.
Rezultatet paraprake të regjistrimit do të dalin në nëntor dhe vetëm në fund të 2012-s do të arrihet në konkluzionet përfundimtare të tij. Të dhëna e marra nga ky proces do të kenë efekt vetëm statistikor dhe nuk do të reflektohen në Regjistrin Themeltar të Shtetasve.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”