Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Shqipëria del nga “lista e zezë” e vendeve me bregdet të minuar, britanikët japin garanci

Që prej 2 Janarit 2020, në hartat e prodhuara nga Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe, Shqipëria nuk cilësohet më si bregdet i minuar. Për më shumë se 40 vjet, kjo zyrë, në hartat e publikuara prej saj, të përdorura gjerësisht nga lundërtarët, ruante shënimin “Formed mined zone” (ish zonë e minuar) për bregdetin shqiptar.

Falë studimeve profesionale në terren, të Shërbimit Hidrografik të Forcës Detare Shqiptare dhe komunikimit me Zyrën e Shërbimit Hidrografik të Britanisë së Madhe, bregdeti shqiptar nuk përfaqëson asnjë rrezik për lundrim.

Këtë fakt e konfirmon, drejtori Ekzekutiv i Zyrës Hidrografike në Britaninë e Madhe, Admiral Tim Loëe, zyra e të cilit ka botuar edhe këtë hartë përfundimtare. Një vendim pozitiv me efekte të mëdha, veçanërisht në zhvillimin e turizmit detar në Shqipëri.

Kohë më parë në një hartë të kompanisë ndërkombëtare “Navionics”, e cila prej 30 vitesh operon në publikimin e hartave të lundrimit për të gjithë vendet e botës, Gjiri i Vlorës konsiderohej si një zonë me rrezikshmëri të lartë lundrimi për shkak të zonave të minuara.

Hapësira detare prej grykëderdhjes së Vjosës deri në afërsi të Gjirit të Gramës në Karaburun vlerësohej si zonë e minuar. Në legjendën e hartës përshkruhet se e gjithë kjo sipërfaqe paraqet rrezikshmëri për shkak të minave apo municioneve luftarake që ndodhen aty.

Sipas “Navionics” të gjitha mjetet lundruese që patrullojnë në këtë zonë duhet të tregoheshin të kujdesshme dhe të kenë kontakte të vazhdueshme me kapitanerinë e portit.  “Në bregdetin shqiptar janë identifikuar rajone me mbetje municionesh, jo zona të minuara. Në konceptin tonë këto janë mbetje të municioneve, predha dhe jo mina luftarake apo silura të cilat janë armatime nënujore. Këto zona janë të piketuara në mënyrë të saktë, si në Gjirin e Vlorës dhe te zona e Kalasë.

Kemi organizuar disa operacione për demilitarizimin e këtyre zonave, por aty ka ende mbetje dhe në afërsi të ishullit të Sazanit. Them me bindje se hapësira detare shqiptare nuk ka asnjë rajon, e cila mund të bëhet pengesë për lundrimin paqësor të mjeteve civile apo ushtarake të lundrimit”, deklaronte Shefi i Shtabit të Forcave Detare, Adnand Agastra, në mesin e muajit maj të vitit të kaluar, në inspektimet e asaj kohe.

Tashmë rreziku ka kaluar dhe britanikët japin garanci për bregdetin shqiptar, duke e hequr vendin tonë nga “lista e zezë” e vendeve me rrezikshmëri në këtë drejtim.

Back to top button