Maqedoni, enciklopedia antishqiptare ende në treg
“Enciklopedia Maqedonase” që shprehet kundër shqiptarëve po shpërndahet dhe po shitet me anë të DVD dhe CD, por edhe formave tjera në mbarë Maqedoninë.
Agjencia e lajmeve INA bën të ditur se për momentin ajo është bërë materiali më i kërkuar dhe më i preferuar tek qarqet intelektuale, studentët dhe nxënësit maqedonas, të cilët janë kureshtarë dhe duan të kenë këtë material që mes të tjerash përmban shumë pohime fyese për shqiptarët.
Një nga shitësit e disqeve pirate në sheshin “Maqedonia” thekson se ka arritur që ta marrë nga disa miq të tij kopjen e DVD-së, që më pas e ka shumëfishuar.
“Po shkon mirë dhe shumë e kërkojnë. Ka edhe nga të huajt që e blejnë pasi që e shohin që është e shkruar se ka përmbajtjen e enciklopedisë. E kërkojnë të gjithë dhe jemi të habitur se si për herë të parë këso disqe kërkohen, edhe më shumë se filmat e rinj që kanë hyrë në treg”, citon INA shitësin ambulant.
Pavarësisht zërave për tërheqjen e botimit të kësaj vepre, deri tani janë shpërndarë me qindra mijëra kopje përmes disqeve.
Encklopedia maqedonase hapi një debat të madh në radhët e akademikëve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sipas shqiptarëve, botimi fyente shqiptarët të cilët i cilësonte si barbarë dhe racë e ardhur në Ballkan, ndërkohë që historia ka vërtetuar se shqiptarët janë autoktonë në gadishull.
Ditë më parë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku, shprehu shqetësimin për këtë vepër antishqiptare.
“Jo zyrtarisht kam mësuar se e ashtuquajtura “Enciklopedia Maqedone”, vazhdon të qarkullojë. Redaksia e re, që u krijua pas botimit të këtij libri provokativ, thuajse nuk funksionon fare që prej dy vitesh dhe në fakt, nuk ka asnjë shenjë domethënëse për të bërë diçka serioze në këtë drejtim”, ka theksuar Çejku.
Ndaj dhe me keqardhje sikundër shprehet, ai del në konkluzionin se në Maqedoni “ka ende mbeturina nostalgjike të së kaluarës ish-Jugosllave, që i shohin shqiptarët dhe rolin e tyre me negativitet”.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”