Ligji i pronave, Greqia “shantazhon” Shqipërinë

Greqia është e pakënaqur nga miratimi i ligjit të ri për pronat, që Kuvendi e kaloi në seancën e 5 marsit dhe paralajmëron se mund të bllokojë negociatat për këtë çështje.
Athina zyrtare ka reaguar përmes një deklarate të Ministrisë së Jashtme, që e cilëson miratimin mbi çështjen e pronave “një mundësi të humbur për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi, që sipas Greqisë, mundon qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe pjesëtarët e minoriteti grek.
Ministria e Jashtme greke thotë se ligji nuk plotëson as rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Autoritetet Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë ‘’zgjidhje ‘’ pa marrë parasysh vlera dhe të drejta themelore. Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili theksonte se ‘’dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë’’. Megjithëse në momentet e fundit u bënë disa përmirësime, problemet kryesore mbetën edhe tek Ligji që u votua”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
Greqia thotë se ka pritshmëri nga autoritetet shqiptare që të mbrojnë efektivisht të drejtën e pronësisë dhe pronës, duke kujtuar se kjo është një e drejtë thelbësore e së drejtës europiane.
Në fund të reagimit, Ministria e Jashtme greke “shantazhon” me bllokim negociatash.
“Sanksionimi i kësaj të drejte do të përbejë gurin e provës, në kontekstin e marrjes së vendimeve për hartimin e kuadrit negociues (negotiating framework) dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare (1st intergovernmental conference) për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërinë”, mbyllet deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke.