“Ndëshkimet do të jenë shembullore”/ Kryeministri flet për gjobat dhe për respektimin e masave

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se të gjithë ata që nuk do të respektojnë masat e vendosura për parandalimin e COVID-19, do të marrin një ndëshkim shembullor. Ai u ndal te ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, ku parashikohen dënime me burg deri në 15 vite, për ata që thyejnë karantinën dhe i shkaktojnë vdekjen një tjetër personi.
“Ndëshkimet do të bëhen shembullore për të gjithë ata që do të na kërcënojnë rezultatin e arritur. Kush thotë ‘populli me gjoba’, harron që është një individ. Gjobat nuk vihen për popullin, por për individin. Po të kishte shkelur rregullat populli, do ishim në humnerë, do kishte mijëra të vdekur.
Populli respekton ligjin. Populli nuk merr gjoba. Gjoba janë për të pabindurit për abuzuesit, fajtorët.
Gjobat nuk janë për të mbushur buxhetin . Nuk mbushet buxheti me ato pak gjoba. Janë pak fare në raport me popullin. Gjobat janë për të dhënë mesazhin e qartë se në një shtet në tërësi edhe kur nuk ka luftë, jetohet me rregulla. Nuk jetohet kush është më i forti dhe më i dobëti. Rregullat janë njësoj për të gjithë.”, tha kryeministri në një komunikim me publikun.