Berisha sulmon shqiptarët: Klithma mjerane,njerëz pa identitet kundër regjistrimit
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se regjistrimi i popullsisë përbën një rëndësi të veçantë. “Shtyrja e censusit për në vjeshtë nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve të cilët për interesa të tyret personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, besimet, thelbin dhe qenien e kësaj shoqërie. Jo dhe jo. Nuk ka asnjë lidhje. Lidhja e vetme përse u shty ka qenë fushata zgjedhore dhe zgjedhjet lokale. Qeveritë vendore kanë përgjegjësinë kryesore në këtë akt madhor në të cilin Shqipëria do të dëshmojë një vend tjetër, një vend që ecën me hapa të sigurtë drejt një vendi të zhvilluar”, u shpreh Berisha. Sipas tij, nuk ka patur asnjë arsye tjetër dhe ata të cilët përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve ata kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet. “Kanë një defiçencë të identitetit por janë individë të shkëputur e nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare. Ky komb nuk ka vuajtur, nuk vuan dhe nuk do të vuajë kurrë për identitetin e tij. Shqiptarët për këta mjeranë, kanë qenë shqiptarë kur nuk kanë patur universitete, kur nuk kanë patur alfabet, kanë qenë shqiptarë e kanë mbetur shqiptarë”, tha Berisha. Çjanë këta, vijoi ai, që derdhin lot krokodili? “Janë të pashpresë për tu shëruar në raport me identitetin por shoqëria i pranon pasi është shoqëri e lirë. Këta janë njerëz pa zot, janë mjeranë ateistë që e kanë frikë zotin. Ai që i beson zotit e di se pavarësisht besimit bashkohet tek zoti me vllezërit e tij. Mund ti bëjë njeri me zot ata? Smund ta bëjmë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, çdo qytetar duhet të ndjehet krenar me përkatësinë etnike dhe fetare. “Ata që shfrytëzojnë karrigen e larta shtetërore i përdhosin ato, Kushtetutën dhe karriget. Janë më të mjerë se çakejtë e tyre pasi sëpaku çakejtë lehin por vet e fshehin fytyrën. I shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla praktikash, konceptesh dhe qëndrimesh primitive. Vetëm flamur nuk kanë ata. Akti i regjistrimit do të jetë akt madhor. Shqiptarët do të regjistrohen si qytetarë të lirë, do tregojnë pasurinë, fenë, besimin, përkatësinë etnike e natyrisht pa asnjë detyrim. Ai që i konsideron këto si çështje private, ai është i ftuar të mos shënojë asnjërën prej tyre”, nënvizoi Berisha.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”