Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Selanik , kurorëzohet me sukses një tjetër vit për gjuhën shqipe

Siç e kemi bërë të ditur herë pas here nëpërmjet shtypit shqiptar të emigracionit në Greqi, Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë ”Nënë Tereza” në Selanik zhvillon cikle mësimore për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve që më 2004-ën.

Të dielën, më 12 qershor, kjo shoqatë kurorëzoi me sukses vitin mësimor 2010-2011. Kjo ngjarje u zhvillua si një piknik i bukur në parkun ”Seik Su” të Selanikut (pas Kopshtit Zoologjik) me pjesëmarrjen e mësuesve, nxënësve, prindërve, anëtarëve të tjerë të shoqatës si dhe të kalimtarëve kuriozë.

Gjashtë mësuesit vullnetarë pranë kësaj shoqate, Dashmir Zaçe, Valbona Hystuna, Iris Hajdinaj, Rovena Spiridhi, Antuela Xhixhi dhe unë, organizuam me nxënësit tanë një shfaqje me gjëegjëza, vjersha e këngë në gjuhën shqipe. Gërmat e alfabetit shqip që veshën fëmijët (të përgatitura nga prindër e mësues) ngjyrosën emocionet e të gjithëve. Fjala ABETARE lexohej lehtë në gjokset e tyre dhe dëgjohej fuqishëm nga buzët e tyre.

Çdo herë ndodh që fëmijët në fillim të hezitojnë të shpalosin aftësitë e tyre në gjuhën shqipe, por dalëngadalë kjo bëhet një dëshirë e fortë: nxitin njëri-tjetrin për të nxjerrë një rezultat sa më të mirë e për të kënaqur prindërit e mësuesit e tyre. Ata recituan aq bukur për të gjitha shkronjat, kënduan për pranverën, për kukullat, për librat, recituan ëmbël për mësuesit dhe prindërit të cilët i shoqëronin vazhdimisht me duartrokitje të zjarrta. Më të rriturit fshiheshin pas supeve të vogla të më të vegjëlve, gjë e cila krijoi një situatë gazmore.

Sigurisht tradita që ndjek tashmë Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë ”Nënë Tereza” nuk mund të harronte shpërndarjen e DËSHMI-ve të pjesëmarrjes të cilat shërbejnë si ”shpërblim” simbolik ndaj përpjekjes vjetore së fëmijëve si dhe një kujtim i këndshëm fëminor. Këto DËSHMI u shpërndanë për rreth 90 fëmijë emigrantësh shqiptarë. Pikërisht në këtë pikë dua të theksoj sa e nevojshme është për fëmijët dhe për prindërit e tyre marrja e një DËSHMI-je që çertifikohet nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. 

Pothuajse nga të gjithë vinte pyetja: Për çfarë shërben kjo DËSHMI? A mund të jetë kjo një çertifikim i njohjes së nivelit të gjuhës shqipe nga fëmija im? Për fat të keq përgjigjja jonë nuk mund të jetë pozitive përderisa dhe përpjekjet tona me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë kanë gjetur vakum.    

Gjithashtu fëmijët shkëmbyen dhuratat që ata vetë i kishin sjellë për shokët e shoqet e tyre. Secili nga ne mbajmë në sirtaret tona gjëra që nuk i përdorim, por që për të afërmit dhe shokët tanë mund të jenë shumë të vlefshme. Kështu të gjithë fëmijët kishin mbështjellë bukur dhuratat e tyre me qëllim që të kënaqin këdo shok apo shoqe që do të zgjidhte të tijën apo të sajën.

Lulet dhe falenderimet për mësuesit që kanë punuar me aq dashuri e përkushtim vërshuan si lumë në fund të festës. Unë, e emocionuar për atë që përjetova atje, them me bindje se të gjithë ne duhet të japim sado pak për këtë brez të ri, nëse duam që të na përfaqësojë denjësisht në të ardhmen. Sigurisht çdo përkrahje nga qeveritë e të dy vendeve është e domosdoshme. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të shprehim solidaritetin tonë dhe të punojmë për të drejtën e fëmijëve në mësimin e gjuhës amtare apo/dhe të prindërve të tyre. Më pas larmi ushqimesh, muzikë dhe valle popullore shqiptare e finalizuan festën tonë. Gazi e hareja pushtoi parkun. Është bukur të jesh mes shqiptarësh…

Të dashur nxënës, mësues, prindër e bashkatdhetarë! Ju urojmë një verë të mbarë! Mirutakofshim në tetorin e ardhshëm! Jemi të bindur se bankat e ”shkollës” shqipe të Shoqatës së Emigrantëve SHqiptarë ”Nënë Tereza” do të mbushen përsëri me fëmijë që kanë nevojë të ruajnë dygjuhësinë e tyre si pasuri dhe krenari e çdo identiteti. E duam dhe e respektojmë thesarin tonë gjuhësor e kulturor siç duam dhe respektojmë çdo thesar gjuhësor e kulturor në botë.

Redina Çami

Mësuese pranë Shoqatës “Nënë Tereza”, Selanik

*** 

Programi mësimor 2010-2011

Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë 

Mësimet janë zhvilluar në Selanik dhe në Nea Redhesto.

Selanik: çdo të dielë 11.30-12.30 në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit Aristoteli Selanik.

Viti akademik 2010-2011: Ndjekin mësimet rreth 100 nxënës të ndarë në 6 grupe sipas niveleve.

Tekstet me të cilët është punuar janë: ABETARE e Kolë Xhumarit (e shoqëruar me fletore pune), Gjuhë SHqipe 2, 3, 4, 5 si dhe “Gjuha shqipe në familje” e Novruz Abdilekaj.

Mësuesit vullnetarë janë:

1. Dashmir ZAÇE – Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Tiranës

2. Valbona Hystuna – 1990-1994: Falulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Shkodrës

3. Iris Hajdinaj – Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Tiranës

4. Redina Çami – Fakulteti i Ciklit të Ulët, Universiteti i Korçës

5. Rovena Spiridhi – Fakulteti i Ciklit të Ulët, Universiteti i Korçës

6. Anduela Xhixhi – Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Elbasanit

Nea Redhesto: çdo të shtunë në ambientet e Shkollës Fillore nr. 1 të fshatit.

Viti akademik 2010-2011: Kanë ndjekur mësimet rreth 10 nxënës.

Tekstet me të cilët punohet janë: Gjuhë SHqipe 2.

Mësuese vullnetare:

1. Dëfrime Baja – Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Tiranës

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

Back to top button