Në Rinas si shqiptarë/ Përtej Oqeanit si italianë, kinezë deri edhe algjerianë e brazilianë

Shumë prej atyre që e kanë ndarë mendjen për t’u larguar nga ky vend, nuk lënë mënyrë pa sajuar e shuma të mëdha pa shpenzuar. Nuk janë të pakta rastet, kur shumë shqiptarë kapen ndërsa qëllimi i vetëm i tyre ka qenë kalimi për në Angli, Kanada, apo Amerikë.

Dhe taktika e tyre është e thjeshtë. Ata përdorin dokumente të vërteta në pikat kufitare ajrore, apo tokësore. Më pas nxjerrin dokumente false për të vijuar udhëtimin.

Në aeroportin e Malpensës në Milano të Italisë, rastet me këtë fenomen janë shtuar shumë. Policët italianë kanë marrë udhëzime për këtë fenomen, aq sa që me dyshimin e parë nuk lejojnë asnjë kalim të tillë.

Policia Kufitare në Itali, por edhe në Gjermani e ka marrë këtë informacion nga komunikimet mes dy vendeve, të cilat synojnë jo vetëm kundërveprimin e emigracionit të paligjshëm që hyjnë në territorin kombëtar të tyre, por edhe lëvizjet e parregullta drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Vetëm javën e shkuar janë identifikuar tek Autoriteti Gjyqësor dymbëdhjetë të huaj që dispononin dokumente udhëtimi ose leje qëndrimi dhe viza false.

Nga këta tetë u arrestuan për posedim të dokumenteve false të përdorura në përpjekje për të arritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Kanada. Të huajt janë kryesisht shqiptarë, të cilët, sapo mbërrijnë në Itali, menjëherë përpiqen të arrijnë destinacionet britanike dhe irlandeze duke përdorur këtë mënyrë që synon të shmangë kontrollet e kujdesshme të policisë kufitare.

Në fakt, pikërisht për të shpëtuar nga syri vigjilent i operatorit të policisë, shqiptarët shfaqen në kontrollin e pasaportës me dokumentin e tyre origjinal dhe biletën e udhëtimit, por pasi kanë kaluar kontrollin shkojnë në portat e fluturimeve për në Londër dhe Dublin duke treguar një dokument të rremë, zakonisht një kartë me identitet italiane ose greke dhe një kartë tjetër me detaje personale false.

Rastet më të shumta janë me pasaporta italiane, por nuk mungojnë edhe dokumente algjeriane apo braziliane. Madje në një rast, Policia shqiptare konfirmon se ka tentuar përmes këtyre rrugëve edhe një person i kërkuar nga Policia shqiptare për trafik droge.

Policia shqiptare ndërkohë ka përgatitur një “listë të zezë” të shqiptarëve që kanë shkelur regjimin e vizave. Burime për Gazetën Shqip thonë se janë shumë shqiptarë, kryesisht nga 25 deri në 35 vjeç, të cilët kërkojnë rrugët e largimit.

Policia shton se është e pamundur të kontrollohen imtësisht, sepse ka rastet kur nisen edhe nga aeroportet e vendeve fqinjë. Fjala bie, nuk i lejohet kalimi në vendet e BE, por jo në Kosovë, Maqedoni, apo Malin e Zi. Nëse një person në skedën e policisë nuk kalon në Itali, niset nga Prishtina, Ohri apo Shkupi për në destinacionet evropiane.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT