DALIN PAMJET/ Momentet pas shpërthimit të skafit në Porto Palermo, qytetarët u vijnë në ndihmë të plagosurve

Këto janë pamjet e para pak çaste pas shpërthimit që përfshiu motorin e një skafi në Porto Palermo, ngjarje që la të plagosur katër persona.

Në video shihet në det mjeti lundrues, ndërsa disa qytetarë afrohen me shpejtësi për t’u ardhur në ndihmë personave të dëmtuar. Ndërhyrja është kryer me mjete lundruese dhe jet ski, ndërsa të plagosurit janë nxjerrë nga uji dhe kanë marrë ndihmën e parë.

Katër personat pësuan djegie në pjesë të ndryshme të trupit gjatë incidentit. Sipas të dhënave të bëra publike më herët, dy prej tyre kanë pësuar dëmtime më të rënda dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Himarë dhe Vlorë, janë nisur drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Të plagosurit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, 25 vjeç, Aleks Doda, 18 vjeç, Xhemal Ismailaj, 40 vjeç dhe Ardinant Qaziu, 38 vjeç.

Ngjarja ndodhi këtë të hënë, ku shtetasit e lartpërmendur ishin duke kryer punime për riparimin e motorit të skafit. Sipas të dhënave paraprake, benzina e pranishme në zonën e motorit dhe në serbator dyshohet se mori flakë. Shkaku i ndezjes është ende nën hetim, ndërsa dyshimi për një cigare të ndezur mbetet për t’u verifikuar nga grupi hetimor.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT