Mbrëmë ishte “shënjestër” e përplasjeve, “Agroni i Flamurit” zbret sërish në Bulevard: Nuk na ndalojnë, mos lejoni të përçahemi

Protesta në Tiranë ka vijuar dhe mbrëmjen e kësaj të hëne, duke shënuar ditën e 79-të të rezistencës së protestuesve, ndërsa tubimi i sotëm ka ardhur pas përplasjes së regjistruar ditën e djeshme mes disa prej pjesëmarrësve në protestë.
Si çdo mbrëmje, protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ku kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, rrëzimin e klasës politike dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në këtë protestë të sotmen ka marrë fjalën edhe Agron Jemini, i njohur ndryshe edhe si “Agroni i Flamurit”, i cili ka qenë në shënjestër të incidentit të mbrëmshëm. Gjatë fjalës së tij ai deklaroi se ajo që ndodhi nuk do ta frikësojë dhe as nuk do ta largojë nga protesta, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve që të identifikojnë personat e përfshirë dhe të marrin masa përkatëse.
Jemini ka kërkuar gjithashtu nga protestuesit që të mos lejojnë përçarjen mes tyre dhe të qëndrojnë të bashkuar, duke e cilësuar unitetin si një nga elementët kryesorë të vazhdimit të rezistencës, ndërsa ka theksuar se pavarësisht incidentit të mbrëmshëm do të vijojë të jetë çdo natë në shesh, së bashku me protestuesit e tjerë.
“Ai incident që ndodhi mbrëmë nuk do të më frikësojë, por më bën më të fortë. I bëj thirrje policisë së shtetit të marrë masa, personat janë të identifikueshëm. Të vazhdojë punën që paguhet nga taksat tona. Çdo sulm që do të vijë përballë individit tim, nuk do të më shmangë nga sheshi, nuk do të më ndalojë asnjëherë, do të jem këtu çdo natë me protestuesit, me dorëheqjen e Edi Ramës sa më parë. I bëj thirrje të gjithëve të mos përçahemi nga individë që paguhen nga oligarkët dhe politikanët. Të jemi të fortë, do ti mposhtim”, tha Jemini.
Kjo protestë e kësaj të hëne vjen vetëm një ditë pas përplasjes së regjistruar një natë më parë, ku protestues të ndarë në dy grupe u përfshinë në një konflikt, ndërsa nga pamjet e publikuara më pas në rrjetet sociale duket se situata përshkallëzoi edhe në një përplasje fizike mes disa prej tyre.
Pas publikimit të videove, në rrjet kanë qarkulluar aludime se në konflikt janë përfshirë persona të grupit të Visar Dalipit, i njohur në rrjetet sociale si “Banka e Fundit”, dhe mbështetës të Gent Prognit, megjithatë këto mbeten deri në këtë moment pretendime dhe akuza të ndërsjella mes protestuesve dhe nuk ka një konfirmim zyrtar që të përcaktojë qartë personat e përfshirë në përplasje.