Mickoski në Festivalin Folklorik të Pustecit, shkelet protokolli me himnin kombëtar

Kryeministri i Maqedonisë së Verut, Hristian Mickoski ka marrë pjesë sot, më 20 gusht në festivalin folklorik të maqedonasve në Pustec, raporton gazetarja e Klan News, Daniela Zisi.

Miskoski u shpreh se detyrimi i qeverisë është të krijojë lidhje më të forta institucionale me maqedonasit në Prespën e Vogël.

“Por dua të them edhe diçka shumë qartë. Maqedonasit jashtë kufijve të Maqedonisë nuk duhet të jenë temë vetëm gjatë festave dhe festivaleve. Kujdesi për gjuhën, kulturën e tyre dhe lidhjet me atdheun duhet të jetë një politikë shtetërore e qëndrueshme. Politikanët vijnë dhe ikin, qeveritë ndryshojnë dhe mandatet përfundojnë. Por shteti duhet të ketë vazhdimësi në çështjet që janë më të mëdha se një qeveri dhe se një brez. Prandaj detyrimi ynë është të krijojmë lidhje më të forta institucionale me maqedonasit në Prespën e Vogël, mbështetje më të madhe për shoqatat kulturore, më shumë libra, mundësi për mësimin dhe kultivimin e gjuhës maqedonase, më shumë shkëmbime nxënësish dhe të rinjsh dhe shumë më tepër mundësi që të rinjtë e kësaj zone të njohin atdheun, ndërsa të rinjtë nga atdheu të njohin Prespën e Vogël”, tha Miskoski.

Pas aktivitetit artistik, kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolevski ka reaguar për ekzekutimin në hapje të aktivitetit, vetëm të himnit maqedonas dhe jo atij shqiptar.

Kolevski u shpreh se ka kërkuar të ekzekutohet edhe himni shqiptar, dhe se edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk e priti mirë këtë gjë.

“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO Shqipëri. I kam kërkuar programin zyrtar ku më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do hapet me himnin maqedonas. Ja kam kërkuar që në momentin që do ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare. Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni. Kërkoj ndjesë vërtet pavarësisht se nuk më takon mua sepse s’kam qenë organizator si bashki e Pustecit, si organizatore e këtij aktiviteti. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert megjithatë kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë. Të tre flamujt i kemi çuar nga bashkia si simbol për miqësi midis të dy shteteve që aspirojnë për të shkuar në BE. Kam folur me kryeministrin maqedonas, ishte shumë i shqetësuar në ato momente sepse edhe unë u ndjeva shumë keq dhe e kap kapur si situatë. Por ishte një moment që s’mund të reagoja fare”, tha Kolevski.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT