“Çfarë nuk ke bërë që të shuash protestën”, Arlind Qori i dërgon një mesazh Edi Ramës nga Bulevardi: Populli është zgjuar, nuk heq dorë nga dinjiteti

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori nuk ka munguar as këtë ditë të 79-të të protestës së qytetarëve, të cilët po vijojnë prej ditësh tanimë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të së gjithë klasës së vjetër politike.
Teksa po përshkonte Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, së bashku me protestuesit e tjerë, Qori dëgjohet teksa thotë që populli është i bindur edhe do të vazhdojë këtë “betejë” deri në fund, deri në arritjen e “Shqipërisë së re”.
Sipas kreut të “Lëvizjes Bashkë”, kryeministri Edi Rama ka bërë gjithçka për të shuar këtë protestë, mirëpo ai u shpreh i vendosur se asnjë tentativë e kreut të qeverisë nuk do ta zhbëjë këtë lëvizje qytetare.
“Edi Rama ka bërë gjithçka që të shuajë protestën. KA futur para, policë, halabanë, e prapë se prapë protestës nuk ka çfarë i bën. Nuk ka çfarë i bën një popull iqë tashmë është zgjuar dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dinjiteti. Askush nuk mund ta nëpërkëmbë më popullin shqiptar, të gjithë ne do të luftojmë për demokraci dhe drejtësi, për mbi të gjitha për Shqipërinë e re të ëndrrave tona”, dëgjohet teksa thotë Qori.