Personazhi i “Tik Tok” tallej me numrin e Urgjencës, reagon QKUM: 127-ta është për njerëzit që rrezikojnë jetën, jo për të bërë lojëra (VIDEO)

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka dalë me një reagim publik në lidhje me një rast shqetësues të publikuar në rrjetet sociale, ku një personazh i njohur në “Tik Tok” si Aldi Gjoka, telefonon numrin e urgjencës 127 dhe tallet me punonjësit.
Ky numër kombëtar shërben për të koordinuar urgjencat, që nga shërbimi i urgjencës mjekësore, Policia, shërbimi zjarrfikës etj.
“Stop abuzimit me jetët e qytetarëve! Ndodh çdo ditë të kemi edhe telefonata të tilla, por për të bërë lojëra Tik-toku dhe instagrami nuk kishim marrë! Urgjenca është për njerëzit që rrezikojnë jetën, jo për tu tallur.
Ti zotëri që bën një lojë të tillë, ndërkohë mund te jesh duke rrezikuar minutat e pritjes për një jetë, që ndoshta është edhe për një familjarin tënd! Por c’rëndësi ka?”, thuhet ndër të tjera në reagimin e QKUM.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjshmëri dhe të mos telefonojnë numrin 127 për t’u tallur, sepse ato minuta të pritjes në linjë mund të shpëtojnë jetën e dikujt që është vërtet në rrezik.