Këta janë katër të plagosurit nga zjarri në skafin në Porto Palermo, një prej tyre me gjysmën e trupit të djegur, nisen me urgjencë drejt Tiranës (EMRAT-DETAJE)

Janë identifikuar katër personat që mbetën të plagosur pas zjarrit që përfshiu një skaf në Porto Palermo, teksa po punonin për riparimin e motorit të mjetit lundrues.

Të plagosurit janë Mateo Merdanaj, 25 vjeç, Aleks Doda, 18 vjeç, Xhemal Ismailaj, 40 vjeç dhe Ardinant Qaziu, 38 vjeç. Katër personat kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit dhe për shkak të gjendjes së tyre, pas ndihmës së parë në Himarë janë transportuar drejt Vlorës dhe më pas janë nisur për trajtim të specializuar në Tiranë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kësaj të hëne gjatë punimeve për riparimin e motorit të skafit. Sipas të dhënave paraprake, gjatë ndërhyrjes në pjesën e motorit, benzina e pranishme në zonë dhe në serbator dyshohet se mori flakë. Shkak i mundshëm i ndezjes dyshohet të ketë qenë një cigare që njëri prej personave po konsumonte në atë moment.

Flakët përfshinë menjëherë zonën ku po kryheshin punimet, duke lënë të katër personat me djegie. Fillimisht ata u dërguan në Qendrën Shëndetësore të Himarës, ku morën ndihmën e parë mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të dëmtuarve ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër raportohet se ka marrë djegie edhe më të rënda. Për këtë arsye, mjekët kanë vendosur transportimin e tyre në struktura shëndetësore me mundësi më të specializuara trajtimi.

Policia bëri me dije se rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë u paraqitën katër shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Nga verifikimet e para rezultoi se ata kishin pësuar dëmtime gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, pasi kishin rënë në kontakt me lëndën djegëse, benzinë.

Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se si ndodhi ndezja e benzinës. Dyshimi se zjarri u shkaktua nga një cigare mbetet në fazën e verifikimeve, ndërkohë që për më shumë detaje lidhur me shkakun pritet një tjetër reagim nga Policia.

Sakaq kujtojmë se ngjarja e kësaj të hëne vjen vetëm një ditë pas zjarrit që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Vorë, ku gjashtë prej pushuesve mbetën të plagosur. Siç raportuam dhe më herët, fatkeqësisht dy prej tyre vijojnë të jenë në gjendje të rëndë.

“Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.

Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo,  shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç,  M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie, si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse  benzinë.

Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia më herët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT