Aktivisti u bën thirrje “neokonservatorëve” që sulmojnë “flamingot”: Digjeni tetosteronin në ndonjë palestër, dorë apo partnere para se të vini në shesh

Duket se i ashtuquajturi “Revolucioni Flamingo” ka filluar të përçahet, gjatë kohës që protestuesit ishin vendosur poshtë kryeministrisë, një përplasje u raportua mes tyre. Ndërkohë vetëm një ditë më  parë aktivisti Adriatik Kurti, kishte denoncuar përmes një statusi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, tensionet e vazhdueshme mes grupeve që marrin pjesë prej 78-të ditësh tashmë.

Kurti ngriti akuza për gjuhë urrejtjeje ndaj grupit të “Flamingove” një ditë më parë, duke pretenduar se sipas tij  disa persona të vetëquajtur konservatorë trapistë i kishin etiketuar këta protestues si “sorosjanë”.

“Po ashtu, një incident i ngjashëm u zhvillua edhe gjatë marshimit të Flamingove gjatë protestës ku një prej atyre elementëve sulmon verbalisht dhe gati fizikisht një prej djemëve që i binte doulles!”, ka shkruar ai ndër të tjera, teksa e lidh këtë sulm të lidhur me një narrativë të ngritur prej disa ditësh rreth një takimi që Aleks Soros supozohet të ketë bërë me një përfaqësi shumë të gjërë me grupin e Flamingove.

Më tej ai akuzon se bashkë me grupin e “flamingove” të shënjeshtruar ishin edhe aktivistë të Lëvizjes Bashkë dhe aktivistë të mjedisit.

“Unë dua t’u them këtyre testosteronomëdhenjëve se ju të dashur, pa grupet e majta e ambientaliste jeni thjesht nje vrimë në ujë.  Rrini të qetë dhe mos e ktheni protestën në fushëbetejë ku kërkohen shtriga për t’i djegur.  Digjeni tetosteronin në ndonjë palestër, ndonjë dorë apo partnere para se të vini në shesh.”, ka përfunduar ai reagimin e tij.

Postimi i plotë:

Mbi TESTOSTERONIN e lartë të neokonservatorëve trampistë!

Mbrëmë, pasi përfundoi dhe marshimi, një tufë langonjsh që e quajnë veten konservatorë e ruajtësit e vlerave të mëdha kombëtare, u hakërryen drejt grupit të Flamingove me një gjuhë urrejtje duke lënë të kuptohet se ky grup është pjesë e atyre që këta e quajnë si SOROSJANË! Po ashtu, një incident i ngjashëm u zhvillua edhe gjatë marshimit të Flamingove gjatë protestës ku një prej atyre elementëve sulmon verbalisht dhe gati fizikisht një prej djemëve që i binte doulles!

Ideja dhe narrativa që qe ngritur para disa ditësh, sillej rreth një takimi që Aleks Soros paska bërë me një përfaqësi shumë të gjërë me grupin e Flamingove. Ky lajm ishte fabrikim që nuk dihej se nga erdhi, kush e regjizoi dhe se çfarë kishte për qëllim. Bashkë me grupin e Flamingove në shenjestër ishin edhe grupi i Levizja Bashkë dhe Mjedisorët!

Që nga dita që grupi i Flamingove u sulmua pati rënie të ndjeshme organizative deri aty sa të gjithë filluan të shqetësohen.

Mbrëmë para se të fillonte marshimi, Dritan Goxhaj kaloi në një takim koordinues dhe motivues në të gjitha grupet për të mos rënë pre e këtyre përçarjeve por pa asnjë efekt.

Këto grupe fashiste që kanë një linjë koordinimi me disa figura të foltores dhe një lloj fryme trampiste allaamerikane.

Unë dua t’u them këtyre testosteronomëdhenjëve se ju të dashur, pa grupet e majta e ambientaliste jeni thjesht nje vrimë në ujë.

Rrini të qetë dhe mos e ktheni protestën në fushëbetejë ku kërkohen shtriga për t’i djegur.

Digjeni tetosteronin në ndonjë palestër, ndonjë dorë apo partnere para se të vini në shesh.

Sot dita e 77

Back to top button
LAJMET E FUNDIT