Vjen për herë të parë në Tiranë, shfaqja e komedianit me famë botërore Max Amini arrin sukses pa filluar, biletat shiten në kohë rekord

Tirana do të mirëpresë më 28 Nëntor të këtij viti një ndër emrat më të njohur të komedisë ndërkombëtare stand-up, Max Amini, i cili pritet të performojë “live” te Pallati i Kongreseve. Pavarësisht se na ndajnë 3 muaj nga shfaqja, suksesi i këtij spektakli ka filluar të duket që tani, pasi menjëherë pasi është lajmëruar biletat janë shitur në kohë rekord.
Raportohet se do të ketë një raund të dytë shfaqjeje më 29 nëntor, mirëpo kjo nuk është konfirmuar ende nga artisti. Nga të dhënat e publikuara shfaqja do të nisë në orën 18:00 të 28 Nëntorit dhe mund të marrin pjesë fëmijë mbi 13 vjeç.
Po ashtu është bërë me dije se vendet e rezervuara do të ruhen deri në 5 minuta para fillimit të shfaqjes, dhe më pas çdo vend i lirë mund t’u ricaktohet personave të tjerë pa të drejtë rimbusimi apo kompesimi. Komendiani ka menduar edhe për ata që kanë dëshirë të shijojnë spektaklin nga rreshtat e parë,por pa u bërë pjesë e batutave dhe ngacmimeve të komedianit, për ta do të jenë në dispozicion ulëset e kategorisë “Roast Free”.
Po ashtu një mundësi e artë për të gjithë adhuruesit e stand-up komendive të Aminit, do të jetë edhe takimi nga afër i tij pas shfaqjes përmes biletave “Meet & Greet”. Në rast se do të ketë një shans tjetër shfaqje më 29 nëntor, biletat mund të rezervohen online në faqen zyrtare maxamini.com.