EMRI/ Qarkullonte i armatosur rrugëve të Elbasanit, arrestohet 21-vjeçari! Ja çfarë iu sekuestrua nga Policia

Një 21-vjeçar u arrestua sot (13 gusht) në Elbasan, pasi u kap në afërsi të parkut “Aqif Pasha”, i armatosur me një pistoletë.
Sipas policisë vendore, pas sigurimit të informacioneve se një person lëvizte me armë zjarri, u organizua ndërhyrja e menjëhershme, e cila çoi në kapjen e Jurgest Selamit.
Gjatë kontrollit në çantën e tij (marsup) u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, së bashku me krehërin dhe disa fishekë, të cilat 21-vjeçari i posedonte pa leje.
“Në vijim të punës intensive operative dhe operacionale, kryer me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të cilët përbëjnë rrezik për përfshirje në ngjarje kriminale, është siguruar informacion për një shtetas që lëvizte me armë zjarri (pistoletë) me vete, në afërsi të parkut “Aqif Pasha”. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit të koduar “Indicia”, u vu në pranga shtetasi i dyshuar, J. S., 21 vjeç, banues në Elbasan”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.