Ndodh mrekullia në Kolumbi, gruaja nxirret e gjallë nga rrënojat pas 36 orëve

Një 32-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat 36 orë pasi mbeti e bllokuar nën një ndërtesë të shembur, pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë.

Daniela Largo u shpëtua në qytetin Pereira pas një operacioni 10-orësh. Ekipet e zjarrfikësve arritën tek ajo përmes një tuneli të hapur nën katër pllaka të rënda betony, që e kishin zënë poshtë.

Nëna e saj tregoi për AFP-në se një banor i zonës kishte dëgjuar zërin e Danielës duke kërkuar ndihmë nën rrënoja. Pas mbërritjes së ekipeve të emergjencës, një kamerë e vogël ndihmoi në përcaktimin e vendndodhjes së saj. Shpëtimi ishte veçanërisht i vështirë për shkak të katër pllakave të betonit, që bllokonin rrugën. Zjarrfikësit vendas, të ndihmuar nga kolegë të ardhur nga Bogota dhe nga ekipet e reagimit ndaj fatkeqësive të policisë kombëtare, hapën dy tunele për të arritur tek 32-vjeçarja.

Përmes tunelit të parë, i hapur nga sipër, ekipet mundën t’i siguronin oksigjen. Megjithatë, ishte tuneli i dytë, i hapur nga poshtë, ai që u mundësoi shpëtimtarëve ta nxirrnin gruan të gjallë. Presidenti kolumbian Abelardo de la Espriella e cilësoi shpëtimin e saj si një lajm që sjell shpresë. Nëna e Danielës tha se në shtëpi e pret djali i saj 12-vjeçar.

Tërmeti ka shkaktuar një bilanc të rëndë viktimash. Sipas autoriteteve, të paktën 265 persona kanë humbur jetën dhe 496 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Pereira, një nga qytetet e prekura në rajonin e kafesë, ka regjistruar të paktën 79 viktima, ndërsa në Cali janë raportuar 95 të vdekur. Në Pereira janë shembur të paktën 92 ndërtesa, ndërsa 15 persona besohet se ndodhen ende nën rrënoja dhe 37 të tjerë janë raportuar të zhdukur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT