Vullkani Etna vijon të nxjerrë lumenj llave dhe tonelata hi, mbetet i mbyllur aeroporti i Catania, rreth 700 fluturime të anuluara

Aktiviteti i vullkanit Etna vijon të shkaktojë kaos në trafikun ajror në Sicili, me aeroportin e Catania që ka pezulluar të gjitha fluturimet për shkak të pranisë së hirit vullkanik në hapësirën ajrore.

Shoqëria që menaxhon aeroportin, SAC, ka njoftuar se pezullimi i fluturimeve në ardhje dhe në nisje do të vijojë deri në orën 02:00 të 14 gushtit. Pasagjerët janë këshilluar të kontrollojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.

Kjo është dita e katërt e ndërprerjeve të fluturimeve në aeroportin “Vincenzo Bellini” këtë javë, ndërsa që nga 8 gushti janë anuluar ose prekur nga masat rreth 700 fluturime. Qindra fluturime janë devijuar drejt aeroporteve të tjera në Sicili, kryesisht në Comiso, Palermo dhe Trapani.

Dhjetëra mijëra pasagjerë janë përballur me anulime dhe vonesa gjatë sezonit të pikut turistik. Aeroporti i Comisos, i cili ishte prekur përkohësisht nga hiri vullkanik, tashmë është rikthyer në funksion të plotë.

Situata ka sjellë edhe pasoja ekonomike për sektorin e turizmit. Sipas një vlerësimi të Assoesercenti, dëmet nga ndërprerjet e fluturimeve mund të arrijnë nga 12.8 deri në 24 milionë euro.

Etna, një nga vullkanet më aktivë në Evropë, ka vijuar të nxjerrë hi nga aktiviteti në kraterin Voragine. Prania e hirit në atmosferë përbën rrezik për motorët e avionëve dhe ka detyruar autoritetet të kufizojnë trafikun ajror në zonën e Catanias.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT