Ndikimi, milionat ruse kundër shtetësisë së Kosovës

Rusia ka agjendë, përmes së cilës tenton të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, ashtu sikurse në të gjithë Ballkanin duke investuar për prishjen e imazhit të vendit, kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten ka theksuar se ekziston një agjendë e Rusisë dhe tendencat për përfshirjen e Kosovës në procese, të cilat do ta nxirrnin vendin, siç ka thënë ai, “jashtë binarëve”. Haradinaj ka thënë se në forma jo të drejtpërdrejta, Rusia investon para në idenë për ta paraqitur Kosovën “në një status-quo regresive”.

Halil Matoshi, këshilltar i Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që, sipas të dhënave e analizave të ndryshme, del se politika e Rusisë vazhdon të tentojë që t’i minojë proceset integruese të vendeve të rajonit në NATO e BE, përmes pranisë në këto vende, përfshirë dhe Zyrën e Rusisë në Kosovë.

Përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin në Kosovë, ndonëse në masë të vogël në krahasim me vendet e fuqishme perëndimore, janë edhe në fushën e ekonomisë. Sipas autoriteteve të Kosovës, shtrirja e ndikimit rus në këtë aspekt, vjen kryesisht përmes Serbisë.

Ndonëse në Bankën Qendrore të Kosovës nuk janë përditësuar të dhënat, sipas shifrave të vitit 2016, investimet ruse në Kosovë kanë qenë rreth 2 milionë euro. Kurse, vlera e importit të produkteve ruse në Kosovë, për vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë rreth 7 milionë euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT