Kryepeshkopi u ka ikur autoqefalisë, transparencës dhe arkitekturës së kishës shqiptare
Vasil Gjika/ Ish-deputeti flet për përplasjen mes kishës së Përmetit dhe Pallatit të Kulturës së qytetit… Rolin e kryepeshkopit Janullatus në humbjen e identitetit shqiptar në besimin ortodoks dhe pretendimet territoriale të fqinjit tonë grek…
Aleksandër Cipa
Shoqëria e sotme shqiptare jeton kohën e “tabuve të ngacmuara”. Të
tilla janë edhe ato të religjioneve, të cilat politika i trajton
demagogjikisht. Disa prej çështjeve tona religjionare janë tashmë të
hapura. Të frikshme në “nënkoren” e tyre. Kohët e fundit, kisha e
Përmetit, apo Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” të këtij qyteti janë
bërë temë e ditës dhe objekt i shumë mediave. Ka pasur prononcime
shumëpalëshe dhe debati ende është i hapur. Ndërkohë që autoriteti më i
lartë i Kishës Autoqefale Shqiptare e ka përcjellë si një shqetësim në
dimensione jashtëkombëtare.
…Si përmetar dhe ish-deputet i këtij rrethi në krye të kohës së
shpalljes dhe sanksionimit të pluralizmit politik dhe atij shoqëror, a e
keni një mendim për këtë çështje? Nëse po, cili është ai?
Pse kaq zell për t’u përfshirë në këtë çështje shumë palë? Pse aq nxitim
për t’u përfshirë edhe nga jashtë dhe si i gjykoni qëndrimet
institucionale brenda dhe jashtë vendit, kam parasysh prononcimet dhe
deklaratat e Kishës Ortodokse Autoqefale, të qeveritarëve tanë, qeverisë
greke apo ekstremistëve të Agimit të Artë, bashkimit panepirot etj.?
Me
të drejtë ju e quani çështje. Ky problem ka qenë dikur në vëmendjen e
atij komuniteti të qytetit të Përmetit, por kohët e fundit, duke thyer
çdo rregull dhe etikë, janë përfshirë shumë palë, që nuk kanë asnjë
përkatësi me qytetin dhe qytetarinë përmetare. Kam parë prononcime
objektive dhe të drejta, siç ka pasur dhe “argumente” apo “gjykime”
spekulative që marrin përsipër të ndajnë një problem që ka marrë
verdiktin e gjykatave. Kemi parë dhe deklarata të nxituara dhe të
tejkaluara, që për fat të keq kanë kapërcyer dhe kufijtë e Shqipërisë.
Në këtë rast të mos harrojmë se: Problemi i pretendimit midis Drejtorisë
Kulturore të Bashkisë së Qytetit Përmet dhe Kishës Ortodokse të atij
qyteti është dhe mbetet problem i atij qyteti, i banorëve dhe
institucioneve të tij, si dhe ligjit e gjykatave. Është një konflikt
banal dhe i rëndomtë, në kuptimin e pretendimit të pronësisë (ka mijëra
raste të tilla në vend) dhe është një përgjegjësi morale dhe qytetare e
përmetarëve. Nuk kanë asnjë kuptim ndërhyrjet brutale që vërehen nga të
gjitha anët dhe drejtimet, kur shikojmë të shoqërohen me një zell të
tejkaluar dhe synime të mbrapshta për ta përdorur këtë sebep.
Mua më duket pa vend çdo ndërhyrje që nuk bazohet në përkatësi ndaj
çështjes. As besimtari ortodoks që vjen nga Gjirokastra për t’u tubuar
në protestë në Përmet, nuk e ka këtë të drejtë. Ne përmetarët i kemi
ndërtuar vetë kishat, teqetë apo xhamitë tona dhe dihet që dhe
gjirokastritët apo kushdo komunitet tjetër, i ka ngritur me kontributin e
brezave të vet këto ngrehina të shenjta. Akoma më tepër, kur për këtë
problem janë shprehur gjykatat. Të gjitha ndërhyrjet e tjera jo vetëm
janë të palejueshme, por synojnë me qëllim të mbrapshtë “përdorjen e
çështjes së Kishës së Përmetit”. Kemi parë papërgjegjshmërinë e
zakonshme zyrtare greke, në deklaratat e Ministrisë së Jashtme dhe të
ndonjë deputeti (madje eurodeputeti) të Parlamentit grek. Jemi
gjithashtu dëshmitarë të veprimeve primitive (duhet thënë dhe zyrtare)
fatkeqësisht të zakonshme, të kthimit të qytetarëve shqiptarë në pikat
kufitare nga pala greke me deklarimet flagrante “ju kthejmë për kishën e
Përmetit”, madje duke u shkarravitur (siç bëjnë rëndom) dhe pasaportat.
Të gjitha këto, si dhe veprime të tjera të ngjashme, dëshmojnë mungesën
e standardeve europiane të një vendi europian, si Greqia. Besoj se nuk
ia vlen të merremi me veprimet, demonstrimet apo fjalimet e çartura të
“të artëve”. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, m’u duk e drejtë dhe i
mbështetur reagimi i Kryeministrit të vendit. Nga ana tjetër, nuk mund
të mos jem i shqetësuar për deklarimet e Hirësisë së Tij, Janullatos, në
emër të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Akoma më e gabuar më
duket sidomos trajtimi i këtij problemi nga ana e Tij.
Keni dalë te personazhi kryesor zyrtar i Kishës Autoqefale
Shqiptare në ditët e sotme. Një hierark i kontestuar dhe i
shumëdiskutuar në mjedisin dhe debatin publik shqiptar të 23 viteve të
fundit. Ju zoti Gjika jeni një ndër ish-deputetët që e keni mbështetur
kurorëzimin e Hirësisë së Tij, Janullatos si kryepeshkop të Kishës
Autoqefale të Shqipërisë… Cila ka qenë arsyeja reale e mbështetjes së
atëhershme dhe cili është vlerësimi juaj sot?
Është e vërtetë. Kur na u paraqit në grupin parlamentar të atëhershëm
të PD-së kandidatura e prof. Anastas Janullatos, u argumentua se vinte
si një figurë me kualifikimin dhe kualitetin e nevojshëm kishtar, si dhe
me zotimin e tij të shenjtë për sipërmarrjen e ringritjes së kishës
ortodokse dhe ruajtjen e respektimin e autoqefalisë së kishës shqiptare.
Nga ana tjetër, kandidatura alternative nuk u paraqitën, por u
argumentua se nuk kishte mundësi të gjendej një kandidaturë shqiptare me
kualifikimin e nevojshëm dhe se nuk kishte ndonjë ndryshim gjetja e
ndonjë kandidature tjetër serbe, ruse apo bullgare.
Po sot, a rezulton e kryer apo e realizuar sipas jush, pritshmëria e besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë?
Natyrisht që pyetja juaj i drejtohet një opinioni më të gjerë dhe po
ashtu të specializuar. Përgjigjja për këtë pyetje as fillon dhe as
mbaron me atë çka mendoj unë. Ka pasur shumë vlerësime dhe do të ketë
akoma në vijim. Por unë them se kemi mbërritur në momentin e të vërtetës
dhe duhet të shprehemi me përgjegjësi për këtë gjendje të Kishës
Ortodokse të Shqipërisë. Nga ana tjetër, duhet të shikojmë se ç’thonë
korifenjtë e autoqefalisë sonë. Pavarësisht se ata nuk janë më, duhet të
shikojmë ato që kanë bërë dhe të lexojmë ato që ata kanë shkruar. Atje
është dhe përgjigjja për pyetjen tuaj. Megjithatë puna e Hirësisë së
Tij, Janullatos, për ringritjen e kishës ortodokse është bërë dhe nuk
mund të mohohet. Janë një numër i konsiderueshëm objektesh të ngritura
në të gjithë hapësirën e ortodoksisë. Natyrisht një vepër e lavdërueshme
është dhe katedralja në kryeqytetin e vendit. Do të ishte me interes jo
vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhe për të gjithë publikun
transparenca e financimit të këtyre investimeve, të cilat pavarësisht se
janë asete të kishës, duhet të respektojnë ligjet e Republikës së
Shqipërisë. Si arkitekt, qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se të
gjitha këto realizime janë identike me ato të kishës greke. Në mos më
gabon kujtesa e shpjegimeve të profesorit tim të historisë së
arkitekturës A.Meksi, “konfiguracioni planimetrik i arkitekturës së
kishës bizantine shqiptare është ajo e kryqit të brendashkruar”. Për
këtë çështje do të duhej të shpreheshin bizantologët (duhet thënë se
kompetenca e bizantologëve shqiptarë është e shumë respektuar në Ballkan
dhe më gjerë), dhe nëse unë kam të drejtë, do të kishim një abstragim
serioz dhe të dëmshëm (madje me pasoja të rënda) të traditës së kishës
shqiptare. Po ashtu, mund të evidentohet si punë e lavdërueshme edhe
ngritja institucionale e kishës. Një armatë e tërë klerikësh e të gjithë
hierarkisë sot militon në këto objekte në mbarë vendin. Përsëri edhe
këtu transparenca e financimit të kishës ortodokse do të shpjegonte
shumë gjëra që ndodhin aty. Nga prindërit e mi dhe gjyshërit, kam mësuar
se priftin dhe dhjakun e kishës se fshatit i mbanin (paguanin) vetë
banorët e fshatit, që po ashtu kontribuonin për mirëmbajtjen e kishave
apo shpenzimeve të tjera. Le të na shpjegojnë nëse ndodh ende sot
kështu! Unë nuk jam i përditësuar me nivelin e njerëzve që kanë veshur
petkun e priftit gjithandej, por në vendin tim ka raste që paraqesin
mirësi me kulturën e nevojshme dhe dinjitet, por ka raste që nuk e
justifikojnë atë veshje dhe aq më tepër këtë shërbesë. E parë në mënyrë
sporadike këto “ndodhi” janë të justifikuara, por janë të palejueshme
ato raste kur “njeriu i kishës” bën miting, politikë, apo inskenon
pantonima supesh me policinë. Në këtë rast duhet të themi se këta
klerikë kanë shkelur jo vetëm ligjet e shtetit, por edhe ato të kishës.
Kurse autoqefalia është goditur dhe provokuar rëndë. Të gjithë e dinë
(dhe duhet ta dinë edhe në Greqi) se shteti shqiptar është laik dhe
besimet fetare janë të ndara nga punët e shtetit. Klerikët këtu (të çdo
besimi) nuk kanë ato prerogativa që kanë homologët e tyre grekë. Fjala e
tyre vlen për ushqimin e shpirtit të publikut, por veçanërisht të
besimtarëve.
I mëshoni në mënyrë eksplicite termit autoqefali. Konkretisht për
çfarë e keni fjalën kur shpreheni: “Autoqefalia është goditur rëndë”?
Më duhet të them se nuk jam një njohës i hollë i dokumenteve të
Autoqefalisë së Kishës Shqiptare. Mirëpo nuk është e nevojshme të jesh i
tillë për të kuptuar se humbja (apo abstragimi) nga identiteti shqiptar
i kishës ortodokse është një ngjarje e rëndë. Kur segmente të kishës
kthehen në seksione të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, apo “zyra
konsullore” greke duke bërë punën e komisioneve të gjetjes dhe
konservimit të eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në trojet shqiptare!
Këtu më e pakta që mund të themi është se Hirësia e Tij ka dështuar në
konsolidimin dhe shprehshmërinë e autoqefalisë. Kur një veprimtari e
tillë ndërshtetërore realizohet si një aksion i Kishës Autoqefale,
atëherë s’e kuptoj se pse mund të flasim akoma për pavarësi të kishës
sonë! Kur kisha jonë “Autoqefale” dhe vetë Hirësia e Tij, Janullatos,
sensibilizon një shtet të huaj ortodoks për “të mbrojtur kishën e
Përmetit”, atëherë këtu është shkelur jo vetëm autoqefalia, por vetë
kombi ynë dhe shteti, Shqipëria. Pikërisht këtu është dhe fundi i
iluzionit se kisha jonë ortodokse mund të jetë “autoqefale”. Askush dhe
askurrë nuk duhej të guxonte të sulmonte Përmetin. Të sulmosh Përmetin
(është interesante, por një gjë e tillë nuk është bërë historikisht as
në vitet e kaluara, megjithëse nuk kanë munguar as më parë mendje dhe
vullnete “agimesh të errëta”, si këto të sotmet) do të thotë të atakosh
djepin e kombit, të qenësisë dhe formimit shqiptar. Do të thotë po ashtu
se jemi në epilogun e kësaj marrie dhe, nga ana tjetër, duhet të jemi
dhe në momentin që Hirësia e Tij, Janullatos, duhet të largohet, pasi ka
kryer një vepër të rëndë në dëm të shqiptarisë. Qytetarët e Përmetit
dhe kultura që mishëron ai popull, nuk mund të pranojnë kurrë që të ulin
flamurin që ngritën Frashërllinjtë e mëdhenj, atë Stath Melani dhe
Vangjël Gjika, Sejfulla Malëshova e Stavro Vinjau, Fan Noli e Faik
Konica, Nikolla Naço dhe Tefta Tashko, Odhise Paskali dhe Mentori e
Laveri, dhe dhjetëra e dhjetëra emra që i nderon dhe vlerëson i gjithë
kombi ynë. Përkundrazi, është detyrë jo vetëm e përmetarëve, por e çdo
shqiptari
ta lartësojnë atë dhe veprat e këtyre shqiptarëve të mëdhenj, duke
fshirë çdo iluzion apo ëndërr të megaliidesë, se mund të ngrenë flamurin
grek në Përmet! Kjo gjë s’mund të ndodhë as me ato përpjekje
liliputësh, të cilët dikur ngrinin lart pankartat ateiste nëpër
mitingjet dhe programet komuniste për shkatërrimin e kishave dhe xhamive
në Përmet, ndërsa vrapuan në vitin ’97 të pushtonin me “grevë urie”
pallatin e kulturës “Naim Frashëri” në emër të kishës dhe, duke sfiduar
dhe injoruar një traditë dhe nevojë të njohur kulturore dhe qytetare të
Përmetit dhe përmetarëve. Ky është një akt i pastër vetëgjyqësie që
dëmton dhe keqekspozon sjelljen e klerikëve të grumbulluar dhe të vetë
Hirësisë së Tij.
Matanë arsyetimit tuaj zoti Gjika, ka një reagim “shqiptar” të
munguar, infatil dhe të kompleksuar. Një ndjeshmëri e ulët reaguese nga
qytetarët dhe në mënyrë të veçantë nga institucionet zyrtare të shtetit.
Ka arsyetime që e çmojnë këtë si maturitet, ndërsa ka të tjerë që e
konsiderojnë sjelljen dhe nënshtrimin e kronikshëm të institucionalizmit
shqiptar. Ju vetë nga pozita e një ish-ligjbërësi si e vlerësoni këtë
sjellje dhe reagim shqiptar?
Nuk është kështu përkundrazi, ka pasur reagim qytetar. Ajo që ka
munguar ka qenë korrektësia, dinjiteti dhe serioziteti në qëndrimin e
institucioneve dhe shtetit shqiptar. Po të shikojmë historinë e këtyre
njëzet viteve të fundit të marrëdhënieve dhe politikës së ndërsjellët
midis Greqisë dhe Shqipërisë, ato lënë shumë për të dëshiruar për
mungesën e standardeve dhe nivelit evropian që i përkatësojmë. Shpesh
ngjarjet e rënda në pikat kufitare, keqtrajtimin e qytetarëve shqiptarë
nga autoritetet policore greke, virusin “antishqiptar” që prish
kompjuterët grekë, reagimet brutale ndaj emigrantëve sa herë “që i
mbetet qejfi” Greqisë, hapjen dhe mbylljen e portës kufitare jo si një
portë shteti, por si një derë “buzuku” nga polici grek, kontrollet e
imta dhe fyese të pasaportës shqiptare dhe kthimet pa asnjë kriter të
paralajmëruar të qytetarëve shqiptarë pse janë çamë apo “kanë shkruar e
folur keq për Greqinë”, rëndom janë kualifikuar si “veprime sporadike”,
të qarqeve ekstremiste, të veçuara etj., etj. Në fakt, është e qartë që
këto veprime janë në sistem të një politike zyrtare greke ndaj
Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë gjë nuk është e rastësishme,
përkundrazi është e përgatitur dhe e mirëplanifikuar dhe bëhet me
përkujdesje. Kush mendoni se urdhëroi të ktheheshin qytetarët shqiptarë
në pikën e “Tri urave” apo Kakavijë, polici grek që u mërzit për “kishën
e Përmetit”? Jo, ajo është një portë që e mbyll dhe e hap shteti grek.
Ky qëndrim i autoriteteve greke nuk përmbush dhe as përmban standardet
europiane të marrëveshjes së “Shengenit” ku Greqia dhe Shqipëria bëjnë
pjesë. “Shengen”-i grek nuk di në mund të gjendet kund në Afrikë! Do të
dëshiroja që eurodeputeti që ngriti dhe i kërkoi hesap qeverisë greke
për kishën time të Përmetit, të vinte dhe të hidhte një sy në Kapshticë,
Kakavijë etj., për të parë se çfarë Europe i ofron Greqia Shqipërisë
dhe s’i trajtohen emigrantët kur kalojnë pikat kufitare ndërshtetërore.
Me pak fjalë, po të perifrazonim Konicën e madh do të thoshim se Greqia i
sillet Shqipërisë si ai fshati i madh fshatit të vogël. Kur vjen puna
për të keqtrajtuar apo “për t’u dhënë mësim allvanosve” shteti grek
shkel çdo marrëveshje, dokument, apo konventë ndërkombëtare që ka
firmosur. Për fat të keq, edhe shteti shqiptar i sillet Greqisë si ai
fshati i vogël fshatit të madh. Nuk është krenari të themi se Shqipëria
nuk është nëpërkëmbur dhe keqtrajtuar kësisoj nga Greqia as në kohën e
Zogut, se në kohën e diktaturës s’ka pasur shanse. Dhe e gjitha kjo,
sepse shtetarët tanë të sotëm, si nga “fshati i vogël” e kanë zgjedhur
vetë të përunjen. Kapërdijnë çdo megalomani greke “për atë të shkretë
Europë” dhe frikën e vetos greke. Mirëpo nga fshati i madh e kanë zakon
që sa më shumë të tulatemi ne, aq më shumë e ngrenë zullumin. Kështu,
deputetët tanë s’kanë kurajë të lidhin dy fjalë “për Çamërinë” (brenda
kartave dhe të drejtës ndërkombëtare), në një kohë që në Parlamentin
grek deputetët flasin hapur për pretendime territoriale dhe “tokë greke”
brenda Shqipërisë! Ishte për të qeshur dhe për të qarë, kur
kryedeputetja jonë zbuloi se “e paskemi votuar rezolutën, por s’i
paskemi numëruar mirë votat”, duke e kaluar pa zë dhe pa e lexuar dhe
një herë në atë sallë të Kuvendit. Nuk ka asnjë reagim zyrtar për
shenjat dhe nishanet e Shqipërisë që shteti grek i përdhos aq lehtësisht
dhe madje duke na kërcënuar “shkruajini //////////////gërqisht këto
toponimet greke paçka se dhiavatirio është tuaja!” Nuk ka asnjë
reagim nga institucionet relevante, apo dhe Avokati i Popullit kur
djemtë shqiptarë që vuajnë dënimet në burgjet greke lëshohen natën si
kavie për t’u gjuajtur dhe vrarë pyjeve dhe gërxheve të Greqisë, duke
stërvitur dhe trajnuar trupat speciale greke. Mos harrojmë se atyre u
është privuar liria, kurse siguria e burgjeve greke është detyrim i
autoriteteve të atij shteti, që jo vetëm s’mbajnë përgjegjësi, por
s’marrin asnjë konseguencë nga ligji dhe gjykatat, tek i kthejnë të
dënuarit “me burgim” në “me pushkatim”! Si shqiptar do t’i kërkoja
shtetit tim dinjitet dhe, të denonconte në mbarë Europën qoftë edhe një
fjalë fyese të policit grek dhe jo më akte dhe veprime flagrante
antiqytetare dhe antieuropiane si më sipër. Në Europë nuk mund të
shkojmë pa dinjitetin, identitetin dhe ADN-në tonë shqiptare.
Platforma e pretendimeve territoriale, si dhe organizatat e
caktuara greke dhe të diasporës së saj, historikisht kanë ekzistuar dhe
investohen për këta objektiva të tyre. Por sa mendoni se ka ceduar
Shqipëria përballë tyre dhe pse mendoni që kjo nuk i ka shqetësuar
shtetarët tanë të këtij tranzicioni?
Unë mendoj se një platformë helenizuese e hapësirës periferike të
shtetit grek, ka qenë dhe është institucionale në Greqi. Kjo platformë
është e vjetër që kurse filloi helenizimi i Epirit (në hapësirën e
viteve ‘730) dhe përfundoi me rënien e Perandorisë Osmane. Rolin
determinues gjithmonë e ka luajtur kisha, e cila ka pasur devizë të saj
“Ortodoksi do të thotë Greqi”, mbi një psikologji të përpunuar të
opinionit panhelen si ajo e shekullit të 18 “kur bullgarët qenkan
ortodoksë, atëherë ç’u duhet një shtet i tyre!”. Përsëri kisha është
flamurtare këtë radhë edhe e kësaj nisme në vendin e shqiponjave,
pavarësisht se ortodoksia shqiptare s’është greke, pasi shqiptarët u
vunë nën kishën lindore të Kostandinopojës pas shekullit VIII dhe u
shpallën “autoqefale” në vitet ’30. Në këtë kuptim “projekti shqiptar”
jo vetëm që ka rëndësinë e tij në programin e helenizimit, por ka marrë
përparësi këta njëzet vitet e fundit. Nga ana tjetër, lehtësisht vihet
re se ka një shkallëzim të këtij programi. Deri dje flitej dhe
pretendohej “për minoritetin dhe të drejtat themelore të tij”, tani
flitet për “Ortodoksinë dhe të drejtat e kishës në Shqipëri”. Deri dje
mitingjet, ceremonitë apo mbledhjet përkujtimore bëheshin në Greqi, tani
(prej disa vitesh) ato bëhen në Shqipëri dhe në mes të ditës, madje
edhe nga persona të paligjshëm që nuk u rezervohet një liri e tillë as
në Greqi! Deri dje “e ngrinin zërin” zyrat konsullore dhe zyrtarët grekë
për problemet në hartën e njohur të vendndodhjes së minoritetit, tani
flet kisha dhe priftërinjtë për të drejtat në hartën ortodokse! Ahere
ç’ka ndodhur, ndërsa politikanët tanë “janë të zënë” me politikat e
mëdha të ditës që bëhen këtu, kemi të drejtë të pyesim: ku janë ligji
dhe institucionet e shtetit tonë? T’u thuash shqiptarëve se “po shkelin
të drejtat e besimit të një komuniteti” kjo do të duhej të shënohej në
“Gines” po të ishte e vërtetë, pasi ka mbi dy mijë vjet që s’ka ndodhur!
Nga ana tjetër, nën hijen e tolerancës dhe shtetit laik, nuk mund të
mbulohet politika e përunjur dhe servile, për më tepër ajo nuk bën
efekt. (Përgjigjja ekuivalente e një polici shqiptar kur ktheu mbrapa
dhe ai disa qytetarë grekë në frymën e “reciprocitetit”, pati më shumë
efekt dhe shteti grek e hapi prapë portën). Nga ana tjetër, gjërat po
shkojnë në një drejtim të padëshiruar dhe të rrezikshëm: tek flisja me
zyrtarë lokalë në Përmet, me shqetësim dëgjova shpërthimin e tyre “këto i
bëjnë disa talebanë”! Përballë produkteve të tilla duhet të
shqetësohemi seriozisht, pasi kurrë nuk ka ekzistuar ndarja dhe përçarja
mes nesh për motive fetare dhe të besimit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.