Rruga që do ripaguajmë pasi e paguam 2 miliard euro për vetëm 137 km!

Rruga e Kombit” autostrada e gjatë 137 km me katër korsi që lidh kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës do ripaguhet nga shqiparët nëpërmjet taksimit, megjithëse për të janë shpenzuar dy miliardë euro nga “portofolët” e të dyja vendeve.
Në kushtet e mosmiratimit nga BB dhe FMN, Shqipëria dhe Kosova u detyruan të devijojnë fonde nga shumë projekte të tjera shumë të nevojshme, si ndërtimi i shkollave, spitaleve dhe rrugëve të tjera më pak të kushtueshme.
E kanë quajtur krim politik, dhe pas gjithë këtij mali me para janë të shumta pikëpyetjet dhe dyshimet.
Tri hetime janë nisur deri tani për korrupsion, abuzim të detyrës dhe keqbërje të lidhura me kontratën.
Pas një hulumtimi gjashtëmujor, BIRN-i publikoi në 2014 artikullin e mëposhtëm, i cili ribotohet nga Dita me shkurtime.
Ky artikull është prodhuar si pjesë e një programi të quajtur “Një gjurmë letre për qeverisje më të mirë”, me fonde nga Austrian Development Cooperation (ADC):

Kontrata për të ndërtuar fazën e parë të autostradës për ta lidhur Tiranën me kufirin e Kosovës ishte dhënë më 2006 me procedura të shpejta të prokurimit, të cilat Banka Botërore dhe të tjerët i quajtën procedura jokonkurruese dhe të paligjshme.
Gjiganti amerikan i ndërtimit “Bechtel” dhe partneri i tij turk “Enka” fituan kontratën për të ndërtuar pjesën prej 61 kilometrash për 418 milionë euro.
Ambasada e ShBA-së ndihmoi në tejkalimin e shqetësimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në lidhje me trajtimin e procesit tenderues në Shqipëri, duke arsyetuar se rruga do të zhvillojë ekonomitë si në Kosovë dhe Shqipëri.
Në fund, kostot shkallëzuan në Tiranë duke u derdhur përfundimisht 950 milionë euro për rrugën, sipas një emaili të rrjedhur nga ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode.
Kontrata për të ndërtuar pjesën e Kosovës iu dha në prill 2010 partneritetit të njëjtë, pas lobimit të ambasadorit të atëhershëm në Kosovë, Christopher Dell.
Dell pastaj u punësua nga Bechtel si drejtor shteti në Afrikë, duke ngritur dyshime në mesin e vëzhguesve në lidhje me ndershmërinë e kontratës.
Shpenzimet në Kosovë shkallëzuan po ashtu. Kostoja u ngrit nga 400 milionë euro për 102 km të autostradës në 838 milionë euro për 77 kilometra.
BIRN-i ka marrë dokumente kyçe për ndjekjen penale të dështuar të Lulzim Bashës – politikanit shqiptar që nënshkroi marrëveshjen në Tiranë me akuzat për shpërdorim detyre në lidhje me kontratën.
Në mesin e akuzave tjera, dokumentet zbulojnë se çmimet e Bechtel-Enka-s ishin më shumë se dyfishi i kontraktorëve vendorë, duke u kushtuar taksapaguesve shqiptarë para shtesë prej 191 milionë eurosh. Sipas dokumenteve të prokurorisë, “të gjitha çmimet e dorëzuara nga kompania fituese janë disa herë më të larta sesa çmimet shqiptare”.
Shifrat ishin përpiluar nga dy auditorë të shtetit të cilët nxorën një raport me 158 faqe deri më tani të papublikuar, duke detajuar problemet me kontratën e autostradës.
Të gjeturat formuan bazën e rastit për hetim kundër Bashës dhe dy këshilltarëve të tij, Andi Tomës dhe Armand Telitit.

‘Asnjë kufi të çmimit, asnjë plan’
Ekipi i prokurorisë gjithashtu theksoi se kontrata ishte nënshkruar pa marrëveshje të kufizuara të çmimit ose të planit të detajuar të ndërtimit, duke lejuar që çmimi të rritet pandalshëm dhe jashtë kontrollit.
Prokurorët po ashtu kritikojnë emërimin e kompanisë holandeze të konsultimit “Ecorys” që ka pasur për detyrë përzgjedhjen e ofertës fituese, duke thënë se është e “paligjshme” sepse aprovimi i kompanisë ishte lajmëruar para se Këshilli i Ministrave të aprovonte atë vendim.
Procesi i shpejtë i tenderimit në të cilin katër kompanitë në listën e shkurtër ishin vlerësuar për aftësinë e tyre që të kryejnë punën, pa pasur nevojë të japin çmimin ishte përshkruar nga hetuesit e prokurorisë në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pohimet se kontrata e dhënë Bechtel-Enka-s përkundër mungesës së një plani të pajtuar të ndërtimit ose kufizimit të çmimit po ashtu janë bërë nga Niko Naska, i vetmi anëtar shqiptar në komisionin vlerësues të përbërë nga pesë persona, konfirmoi ai në një intervistë ekskluzive për BIRN-in.
“Pyetja ime e parë ishte: A ka ndonjë plan të projektit, a e ka shikuar dikush këtë me kujdes? Por nuk kishte asnjë plan. Si mund të ndërtoni diçka pa një plan ndërtimi, e posaçërisht për një projekt të tillë të madh të infrastrukturës, e cila shkon prej 400 milionë në gati një miliard euro?”, shprehu dilemat Naska.
“Si mundem unë, një inxhinier me vite përvojë që ka ndërtuar termocentrale dhe porte, të qëndroj në një nivel të tillë dhe të pranoj të jem pjesë e atij tenderi?”, shtoi ai. Naska i tha BIRN-it se i ishte kërkuar që të marrë pjesë në vlerësim, me njoftimin brenda një dite, përkundër që nuk ishte në gjendje të përcillte procedurat e mbajtura në anglisht. Ai u largua pas një dite.
Ata, “qeveria”, më thirrën një natë më herët duke më thënë se unë isha zgjedhur nga kryeministri Sali Berisha i cili kishte thënë shumë gjëra të mira për mua… por unë nuk dija asgjë për tenderin dhe si mund të isha pjesë e tij?”, tha ai. Ai po ashtu tha se nuk kishte qasje në ndonjë dokument të tenderit të shkruar në gjuhën shqipe.
Në fund, katër anëtarët e mbetur të komisionit vlerësues zgjodhën Bechtel-Enka-n dhe filluan negociatat për një çmim të synuar. Ish-ministri i transportit Lulzim Basha thoshte atë kohë se Bechtel-Enka ishte zgjedhur në mënyrë transparente dhe metoda e shpejtë ishte e nevojshme, pasi vonesat prej një viti mund të kushtonin 75 milionë euro – 60 milionë euro nga rritja ekonomike dhe 15 milionë euro nga kostot e rritura. Asnjëherë, asnjë dëshmi nuk ishte prezantuar për të justifikuar këto shuma.
BIRN-i ka pyetur Bashën, i cili tani është udhëheqës i Partisë Demokratike në opozitë, lidhur me autostradën, por ai ka refuzuar të komentojë.

SHBA-ja sheshon rrugën për “Bechtel”-in
Propozimi i Bechtel-Enka-s po ashtu ngriti kritika të shumta nga Banka Botërore dhe FMN, të cilat refuzuan që të mbështesin projektin, ose të ndihmojnë Tiranën me fonde për ndërtimin e autostradës.
Në një dokument diplomatik të Wikileaks-it të vitit 2006 të titulluar “Pengesa e ofertës së ‘Bechtel-it’ për të ndërtuar pjesën kyçe të autostradës”, Marcie B. Ries, ambasadore e atëhershme në Shqipëri, kishte thënë se do ta ndihmojë qeverinë për të tejkaluar kundërshtimet e Bankës Botërore, pasi autostrada e re “jo vetëm që do të ndihmonte tregtinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës”.
Përfshirja e ShBA-së shkoi përtej përkrahjes nga ambasada. Ries shkroi se Basha i kishte thënë asaj se ish-sekretari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Tom Ridge, ishte duke këshilluar Tiranën në lidhje me marrëveshjen. Ridge kishte ardhur në Shqipëri me kontratë prej 40,000 dollarësh në muaj për të këshilluar qeverinë për anëtarësimin e saj në NAT O dhe themelimin e lidhjeve me Washington DC.
Sipas të njëjtit dokument, Orsalia Kalantopoulos, kordinatore e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, i tha qeverisë se ajo fuqimisht kundërshton projektin me katër korsi, e përveçse përzgjedhja e ‘Bechtel’-it ishte “jokonkurruese, autostrada duhet të bëhet me dy korsi për të reduktuar shpenzimet.
Shqipëria nuk ishte në gjendje që të huazonte nga institucionet ndërkombëtare financiare sepse që të dyja, Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Financiar, kishin këshilluar kundër projektit të autostradës.Vendi u detyrua të shikojë nëpër bankat komerciale me rata më të larta se tregu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT