Afatet | Hapen aplikimet për 300 vende të reja në Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të reja për funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”.

Thirrja u bë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili u ka bërë apel të rinjve dhe të rejave të aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.

Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026. Sipas ministrit Lamallari, procesi i përzgjedhjes do të bazohet në parimet e meritës, mundësive të barabarta, transparencës dhe integritetit.

Më tej, Lamallari i ka ftuar të rinjtë që dëshirojnë të kontribuojnë në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një Shqipërie më të sigurt që të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

“Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, për rend e siguri si parakusht i zhvillimit”, shkruan ndër të tjera ministri, duke e cilësuar këtë mundësi si një profesion me mision dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Postimi i Ministrit të Brendshëm:

Apliko për t’i shërbyer sigurisë së vendit

300 vende për të rinj e të reja që duan të zgjedhin një profesion me mision: Policinë e Shtetit. Janë hapur aplikimet për konkurrim për pranimin në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”. Një proces që udhëhiqet nga merita, shanset e barabarta, transparenca dhe integriteti.

Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Ju ftoj të aplikoni në periudhën mes 17 gushtit deri më 18 shtator 2026.

Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, për rend e siguri si parakusht i zhvillimit. Bëhuni pjesë e Policisë së Shtetit dhe e misionit për një Shqipëri më të sigurt.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT