“Mashtrues, ordiner…më qave dy orë në makinë”, Valon Ademi flet për përplasjet me Behgjet Pacollin dhe të vërtetën e kërcënimeve, si u prish marrëdhënia e tyre

Bashkë-ortaku në projektin strategjik të aeroportit të Vlorës, Valon Ademi ka folur së fundmi lidhur me këtë investim të madh në transportin ajror i cili aktualisht është “lënë në ajër”, kjo për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë lidhur me pezullimin e vijimësisë së punës dhe hetimet e nisura nga Prokuroria.

Pas Behgjet Pacollit në studion e Opinion mbrëmjen e së mërkurës ishte biznesmeni kosovar Valon Ademi për të treguar “të vërtetën” dhe versionin e tij lidhur me atë çfarë është duke ndodhur me aeroportin e Vlorës.

Sipas Ademit, bashkëpunimi me Behgjet Pacollin lindi rastësisht. Në vitin 2019, ai ishte në përpjekje për të aplikuar për tenderin e aeroportit të Vlorës, por nuk i plotësonte kriteret. Takimi me Pacollin, sipas tij, ndodhi kur ky i fundit kërkoi ndihmë për pajisjen me pasaportë diplomatike, dhe aty nisi bashkëpunimi.

Bashkëpunim i cili do të prishej përfundimisht më pas në maj të këtij viti. Duke iu referuar Pacollit me termat “mashtrues” dhe “ordiner”, Ademi ka treguar se si u përkeqësuan përfundimisht raportet e tyre dhe shkak ishte bërë një projekt në Libi e një telefonatë që biznesmeni kosovar i kishte bërë inxhinierit të Ademit.

 “Ky merr në telefon njeriun tim dhe i thotë: ‘Do dalësh nga kompania e Valonit dhe do kalosh tek kompania ime’. Aty, Blendi, e kuptova që Pacolli ishte mashtrues. Nuk e besoja kurrë… Mori në telefon inxhinierin tim fshehurazi dhe i tha të kalonte tek ai. Aty filloi skenari,” u shpreh Ademi.

Ai shtoi se marrëdhëniet me Pacollin kishin qenë korrekte deri në atë moment, por më pas gjithçka doli ndryshe.

“Tani po e shoh që paska qenë farsë e gjitha. Mashtrues ordiner. E kam takuar në Lugano kur ishte i sëmurë. Isha në makinë me të dhe ai filloi të qante dy orë në makinë, duke më thënë që të gjithë po i kthenin shpinën, edhe vëllezërit e tij. Dhe unë i besoja,” tha Ademi.

Në lidhje me deklaratat e bëra javën e parë nga ana e Pacollit se Ademi e kishte telefonuar dhe kërcënuar, ai i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.

 “Nuk është e vërtetë. Le t’i nxjerrë mesazhet! S’është punë kërcënimi kjo. Ka një djalë, djalin e dytë, që e doja shumë sepse ishte simpatik. Kam edhe komunikimet. Ai më tha ‘mos më kërcëno’. I thashë: ‘O vëlla, është gjëja e fundit që mund të bëj me ty’. Sepse ai kishte shkuar e u kishte ofruar njerëzve të huaj gjëra që s’i njihte, me mashtrimet e veta. Kur shoh në Vlorë taksistë me logon ‘Vlora International’, i thashë: ‘Ore zotëri, kujt po i ofron taksi ti?’ dhe më tha ‘mos më kërcëno’”, tha Ademi.

Kujtojmë se në intervistën përballë Blendi Fevziut, Pacolli rrëfeu janën e parë se në telefonin e tij kishin mbërritur mesazhe kërcënuese nga Ademi.

“Jam i zhgënjyer nga zoti Ademi, nga zoti Valon Lluka, dhe nuk dua t’i përmend më emrat e tyre,” deklaroi Pacolli gjatë intervistës, duke theksuar se marrëdhëniet mes tyre janë ndërprerë dhe se ai nuk pranon të ketë më asnjë kontakt me ta.

“Së pari, e ka kontaktuar kompania, departamenti juridik, përpara se të ndodhte ky ‘pseudopublicitet’. I është kërkuar të ulemi e të bisedojmë. Por unë, personalisht, me zotin Ademi nuk do të ulem asnjëherë. Më ka fyer në telefon, më ka kërcënuar dhe më pas i ka fshirë menjëherë telefonatat dhe mesazhet,” shtoi më tej Pacolli.

Biseda mes Behgjet Pacollit dhe Blendi Fevziut:

Pacolli: Jam i zhgënjyer prej zotit Ademi, prej Zotit Valon Lluka dhe nuk dua absolutisht të përmend emrat e tyre. Nuk dua.

Fevziu: A nuk e keni takuar që ti thuash hajde ulemi qe ta flasim? 

Pacolli: E ka kontaktuar firma, departamenti juridik, i ka shkruar Ademit para se të ndodhte ky “pseudopubliciteti”. Hajde të ulemi dhe të bisedojmë. Unë personalisht me zotin Ademi asnjëherë nuk do të ulem. për arsye se mua më ka fyer me telefon dhe i ka fshirë telefonatat e veta, i ka fshirë menjëherë, mua më ka kërcënuar dhe ai e ka humbur çdo krebilitet që të ulet me mua. Ai nuk guxon të vijë afër meje ku jam unë, ai duhet të largohet nga unë. Ose unë nuk do ti shkoj atij atje ku është afër.

Fevziu: Kaq e fortë është thyerja?

Pacolli: Mua më ka fyer, më ka kërcënuar.

Fevziu: Si të ka kërcënuar?   Është kërcënimi, që unë i kam fëmijët diku, e di ku i kam fëmijët. Më ka kërcënuar dhe i ka fshirë menjëherë mesazhet

Çfarë po ndodh me Aeroportin:

Kujtojmë se Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.

Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve,  Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.

2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.

Gjithashtu ai ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.

Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.

Më herët Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e kompanisë koncesionare të aeroportit, Valon Lluka, me votat e vetë Mabco-s, pa praninë ose miratimin e 2A Group. 2A Group pretendon se ky veprim është bërë për të forcuar kontrollin e Pacollit dhe për të eliminuar çdo pengesë institucional ose ligjore. Gjykata e Tiranës ndërhyri duke pezulluar lëvizjet e Pacollit lidhur me aksionet e aeroportit, duke ndaluar çdo ndryshim në strukturën e aksioneve derisa të sqarohet ligjërisht se kujt i takojnë ato aksione në të vërtetë. Ndërkohë, Valon Ademi ka bërë kallëzime penale kundër Pacollit, përfshirë akuza për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe manipulim të aksioneve.

Ndërkaq, SPAK ka marrë një rol kyç, në korrik 2025 është regjistruar një procedim penal në fazë paraprake për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. SPAK po heton nëse kontrata është dhënë në mënyrë të ligjshme, nëse kushtet financiare dhe ndërtimore janë përputhur me ligjet për prokurimet publike dhe nëse janë abuzuar me procedurat e kontraktimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT