Familjarët dhunojnë infermieren, tentojnë të hyjnë në sallën e operacionit

Një incident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Disa familjarë janë konfliktuar me një infermiere, teksa e kanë dhunuar atë fizikisht.
E gjithë kjo ka ndodhur pas një kërkese absurde të tyre për të hyrë në sallën e operacionit, ku një i afërm ishte duke u operuar.
Kundërshtimin e infermieres as e kanë marrë parasysh, ndërsa e kanë qëlluar, madje edhe në sy të Policisë së Shtetit dhe policit privat me shërbim në këtë spital.
Situata është tensionuar, pasi shumë mjekë më pas kanë dalë në mbrojtje të infermieres. Dhe e gjithë kjo ndodh në një kohë, kur të vetmit në detyrë janë bluzat e bardha, jo vetëm ata që po luftojnë me të prekurit me koronavirus, por edhe të tjerët që janë në detyrë për të shpëtuar jetë njerëzish.