Ka një shqetësim amerikan lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford thotë se në Shqipëri duhet të aplikohet një sistem i thjeshtë fiskal, në mënyrë që bizneset të kenë mundësi të mbijetojnë dhe të konkurrojnë denjësisht.
Rezervat e tij për sistemin fiskal në Shqipëri, Crawford i shprehu pas konkluzioneve të dala në Indeksin e Biznesit.
Në një prononcim për Tema Tv, ai tha se regjimi i taksimit që ka aktualisht Shqipëria nuk jep avantazhe as për të nxitur investitorët të çelin biznese të reja.
Ai shtoi se investitorët e huaj po i thithin vendet e rajonit, për shkak se sipas tij, ato kanë kushte më favorizuese se Shqipëria.
Mark Crawford është i dyti amerikan pas ambasadorit Donald Lu që shpreh kritika pasi Dhoma Amerikane publikoi Indeksin e Besimit (ABI) i cili tregonte përkeqësim, pas përmirësimit të një viti më parë – shkruan Dita.
“ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit” – shkruante Lu në një letër publikuar në media.
“Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet ende shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë. Së bashku ne mund të nxisim qeverinë që të zbatojë reformat e nevojshme”, – shkruhej në letrën e ambasadorit./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT