Anëtarësimi i Shqipërisë/ Nga firma e parë në 1994 e deri tek ngritja e dy bazave të NATO

ër të festuar 11 vjetorin e hyrjes në NATO, Shqipëria ka ecur në shumë rrugë, në nisje krejt të pashtruara. Por sot vendi ynë është kthyer në një nga aleatët e rëndësishëm. Por si ka nisur udhëtimi i Shqipërisë drejt NATO-s?!

Së pari daton në 19 Mars të vitit 1993, kur për herë të parë vizitoi Shqipërinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner. Ndërsa në maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Por, duhej pritur janari i vitit 1994, që NATO të lëshonte dokumentin e parë që në fakt ishte ftesë për Partneritetit për Paqe, duke e përcaktuar atë si një program të drejtpërdrejtë dhe një mekanizëm praktik për të transformuar marrëdhëniet ndërmjet NATO dhe shteteve jo anëtare, kryesisht të ‘Bllokut Lindor”, që nuk përfshiheshin nën “ombrellën e sigurisë”.

Në 20 Prill 1994, Parlamenti shqiptar ratifikoi këtë dokument dhe dy muaj më vonë u krijua Shoqata e Atlantikut të Veriut në Shqipëri në të cilën morën pjesë rreth 80 intelektualë të fushave të ndryshme.

Në 9 Qershor 1995, Shqipëria u përfshi zyrtarisht në procesin e planifikimit dhe rishikimit të partneritetit për paqe, proces i cili krijon kushte për të përfituar dhe aplikuar eksperiencën e NATO në fushën e planifikimit të mbrojtjes.

Duke marrë pjesë në ciklet e PARP (Partneritetit djhe Rishikimit për Paqe), Shqipëria nisi shkëmbimin me NATO, të informacionit dhe marrjen më në detaje të ekspertizës për çështje të një spektri të gjerë, që përfshijnë politikën e mbrojtjes, zhvillimet për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura, mbi forcat që Shqipëria ofron në dispozicion të NATO/PfP dhe planet përkatëse financiare.

Në vitin 1996, NATO ndërmori për herë të parë, një proces ambicioz studimi rreth mundësisë së zgjerimit të Aleancës, nëpërmjet 5 parimeve për zgjerim (NATO).

Duke lënë pezull këtë process për më shumë se një vit për shkak të trazirave të vitit 1997, procesi rifuti Shqipërinë në diskutime. Në mars 1998, Aleanca shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës.

Në qershor 1998, duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, Ministrat e Mbrojtjes të NATO vendosën adoptimin e një sërë masave konkrete ku veçohen, mbajtja e një stërvitje të përbashkët ajrore të NATO mbi Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe hapjen e zyrës së NATO/PfP në Tiranë.

Fushata ajrore e NATO kundër Serbisë, për të ndërprerë fushatën kriminale të spastrimit etnik të ndërmarrë nga regjimi i Millosheviçit, përbën një pikë kulminante në historikun e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Aleancës.

Viti 1999, gjatë krizës së Kosovës, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria, de facto, reagonte e vepronte sikur te ishte një vend anëtar i NATO.

Dhe të gjithë këto duket se e patën fundin e tyre në gushtin e vitit 2002, kur Shqipëria dërgon misionin e parë në Afganistan, misioni ISAF me 23 veta nga regjimenti komando.

Ndërsa një vit më vonë, Shqipëria dërgon misionin e vet të parë në Irak, një kompani komando. Pikërisht në vitin 2003, në Samitin e Stambollit, çështja kryesore ishte përmirësimi në bashkëpunimin e strukturave NATO/EAPC/PfP, që u përpunua tërësisht në raportin e rishikimit të gjithanshëm.

Kryetarët e shteteve dhe qeverive e përshëndetën Shqipërinë për progresin e ndjeshëm në reforma, rolin e saj konstruktiv në nxitjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen për Aleancën.

Në maj 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia së bashku me SHBA nënshkruajnë “Kartën e Adriatik 3 – SHBA” (u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e të tre vendeve në NATO, sipas shembullit të “Grupit të Vilnusit”)

Gjatë viteve 2004-2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës.

Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.

Por 11 vjet pas hyrjes zyrtarisht në NATO, Shqipëria është përzgjedhur si “baza e ballkanit”. Për këtë qëllim, NATO do të ketë një bazë ajrore në Kuçovë. Dikur një nga bazat më strategjike të ushtrisë shqiptare, baza ajrore e Kuçovës ishte jashtë funksioni që prej fillimit të demokracisë, por është përfshirë në projektin më të ri të NATO e ku mendohet të investohet për të qenë një prej bazave më të rëndësishme të të gjithë Ballkanit.

Sipas tij, viti 2020 të jetë viti i fuqizimit dhe modernizimit të forcave ajrore, teksa i është shtuar edhe elementi për të qenë një objektiv më vete edhe prezenca në rastet e emergjencave civile.

Përveç kësaj, edhe Baza e Pashalimanit është në syrin e NATO-s. Komandanti i Komandës Supreme për Europën, Gjenerali Amerikan Tod D. Wolters është njohur me planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga Aleanca.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT