Protestat nuk e ndalën reformën, çfarë u tha në takimin e Ramës me kryebashkiakët, kryeministri i vendosur për “fatin” e Bashkive (VIDEO-DETAJE)

Detaje të reja janë bërë me dije nga takimi i zhvilluar këtë të mërkurë mes kryeministrit Edi Rama dhe 20 kryebashkiakëve, në kuadër të reformës së re territoriale që Partia Socialiste ka propozuar për vendin.

Takimi i zhvilluar në Kuç të Vlorës, ka qenë më tepër një takim informues për drejtuesit vendorë të bashkive që preken nga ky riorganizim i propozuar dhe janë shpjeguar hapat që do të ndiqen në ditët pasuese.

Pavarësisht kundërshtimeve të shprehura në disa prej bashkive që preken nga propozimi, protestave të banorëve dhe peticioneve nëpër këshillet bashkiake kundër shkrirjes së njësive vendore, qëndrimi i kryeministri Rama mësohet të ketë qenë i prerë.

“Reforma do të ecë përpara”, kështu mësohet t’u ketë thënë kreu i qeverisë kryebashkiakëve ditën e sotme, ku mes tyre kishte dhe nga ata që harta e re territoriale i prek drejtpërdrejt.

Nga informacionet që kanë rrjedhur për mediat nga kjo mbledhje me dyer të mbyllura, mësohet se kryeministri ka theksuar gjatë fjalës së tij se riorganizimi nuk duhet parë si një reformë që i shërben një bashkie të caktuar, por si një ndryshim që synon riorganizimin e qeverisjes vendore në të gjithë vendin.

“Është reformë për vendin, jo për një bashki”, mësohet të ketë nënvizuar Rama.

Në këtë kuadër, kryeministri ka sjellë në vëmendje edhe përvojën e Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014, kur numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua ndjeshëm, duke kaluar nga më shumë se 300 bashki e komuna në 61 bashki.

Sipas argumentimit të paraqitur gjatë takimit, bashkimi i njësive vendore synon të krijojë më shumë kapacitete administrative, shërbime më të mira për qytetarët dhe një administrim më efikas.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga banorët dhe përfaqësuesit vendorë në zonat që preken nga reforma lidhet me frikën se bashkimi i bashkive mund të sjellë largimin ose dobësimin e shërbimeve publike në qytetet që nuk do të jenë më qendra të bashkive.

Për këtë çështje, gjatë takimit është theksuar se qytetet që do të bashkohen me njësi të tjera nuk do të humbasin rolin e tyre dhe se shërbimet që ofrohen aktualisht nuk synohet të cenohen.

Megjithatë, kundërshtimet në terren nuk kanë munguar. Banorë të disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen kanë zhvilluar protesta, ndërsa këshillat bashkiakë kanë miratuar peticione dhe qëndrime kundërshtuese, duke kërkuar që riorganizimi të mos prekë njësitë e tyre.

Pavarësisht kësaj nga takimi i kësaj të mërkure duket se mazhoranca socialiste nuk ka ndërmend të tërhiqet nga nisma.

Reforma pritet të vijojë përmes konsultimeve me bashkitë, komunitetet dhe aktorët e tjerë të përfshirë, ndërsa objektivi i deklaruar është krijimi i një organizimi vendor më funksional, më efikas dhe më pranë qytetarëve.

Kujtojmë se sipas draftit të propozuar nga mazhoranca, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive dhe bashkimit të tyre me qendra të tjera që ndodhen pranë tyre gjeografikisht.

Propozimi parashikon bashkimin e Fushë-Arrëzit me Pukën, Klosit me Matin, Rrogozhinës me Kavajën, Dimalit dhe Poliçanit me Beratin, Patosit me Fierin, Divjakës me Lushnjën, Selenicës me Vlorën, Maliqit me Korçën, Këlcyrës me Përmetin, Memaliajt me Tepelenën, Libohovës me Gjirokastrën, Cërrikut dhe Belshit me Elbasanin si dhe Përrenjasit me Librazhdin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT