Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Zjarret vijojnë të jenë aktive në 10 vatra, mbi 500 forca dhe 7 mjete ajrore në terren

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.
Përmes një njoftimi, ‘Mbrojtja’ thekson se në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.
Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra. Në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse. Në Krastë–Halil vijon puna pa rrezik aktual për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.
Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcim të kapaciteteve tokësore dhe ajrore.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.