EMRI/ Ndezi dy zjarre në Lundër dhe Shkozë, ish-ushtaraku pensionist dënohet, por burgu i konvertohet në liri me kusht!

Vetëm tre ditë pas arrestimit për piromani, 70-vjeçari Sami Alliu është dënuar nga Gjykata e Tiranës po zjarrvënie.

Ai u arrestua më 9 gusht pranë disa mbeturinave që kishin marrë flakë në zonën e Lundrës, ndërsa gjatë hetimeve policia e bëri përgjegjës edhe për një tjetër zjarr në Shkozë, pranë një kabine elektrike.

Gjykata e dënoi me 6 muaj burg, por dënimi u konvertua në 1 vit liri me kusht. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe Alliu nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Prokurori Indrit Bimi e dërgoi çështjen për gjykim të drejtpërdrejtë, bazuar në provat e mbledhura dhe deklarimet e 70-vjeçarit, i cili pranoi se kishte ndezur zjarrin. Megjithatë, ai ka mohuar që veprimi të ketë qenë i qëllimshëm.

Ish-ushtarak dhe i divorcuar, Alliu jeton i vetëm në një kontejner pranë zonës ku ndodhën zjarret. Sipas dëshmisë së tij, ai merrej herë pas here me pastrimin e hapësirave përreth. Ditën e ngjarjes, ai ka treguar se kishte mbledhur mbeturina pranë një magazine dhe u kishte vënë flakën, por situata doli jashtë kontrollit pasi zjarri u përhap dhe ai nuk arriti ta shuante.

Ndërkohë, të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se nga 1 qershori deri më 11 gusht janë identifikuar 21 persona të dyshuar për zjarrvënie, të cilët janë arrestuar. 44 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim. Për zjarrvënien e qëllimshme, Kodi Penal parashikon dënime që, në rastet kur shkaktohen viktima, mund të arrijnë deri në 20 vite burg.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT