Po ndërtohej lokal pa leje në gjirin e Karaburunit, IKMT e Vlorës dhe Policia shembin objektin, ndalohet autori i dyshuar

Një tjetër aksion kundër ndërtimeve pa leje është zhvilluar sot (12 gusht) teksa u shemb një objekt në gadishullin e Karaburunit dhe u ndalua autori i dyshuar.
IKMT e shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe në prezencë të kryepolicit Skënder Hita, kryeinspektorit të IKMT Afrim Qëndro, drejtorit të Policisë së Vlorës Edvin Ndreu, kanë ndërhyrë në shembjen e objektit.
Bëhet fjalë për një strukturë druri në funksionin e lokalit dhe restorantit.
Teksa vijojnë kontrollet për ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Karaburunit, policia ka konstatuar një objekt të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në gjirin e Shën Janit.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu kanë shoqëruar dhe ndaluar një person, i cili dyshohet se është autori i këtij ndërtimi pa leje.
Ndërkohë, priten verifikime të mëtejshme për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe rrethanat e plota të rastit.