“U kryqëzua” pasi tha se Serbia humbi Kosovën, Rama “i mëshon” sërish mendimit: Është fakt! Qëndrimet e mia i shpreh pasi kryej një matje

Pas më shumë se një dite, kur tha publikisht se Serbia e ka humbur Kosovën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u është përgjigjur kritikave të marra për deklaratën e tij, duke theksuar se ai i shpreh qëndrimet e tij në lidhje me Serbinë, pasi ka kryer matjen përmes një laboratori ekselenet. Ndërsa ka theksuar se Serbia ka humbur Kosovën është një fakt tashmë.
“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës.
Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal” shkruan Rama.
Më tej kreu i qeverisë shqiptare e vijon reagimin e tij duke theksuar se mendimet e tij janë vërtetuar përmes laboratorit, ndërsa shton se ndonëse u konfirmua si tradhëtar për deklaratën, ai i mëshon sërish të njëjtit mendim, që Serbia e humbi Kosovën.
“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit” përmbyll reagimin e tij kryeministri Edi Rama.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës.
Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal.
Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër.
Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar që ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut.
Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit.