Bllokimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës, Pacolli “kërcënon” me arbitrazh ndërkombëtar: Faturën miliona euro do ta paguajnë qytetarët shqiptarë

Biznesmeni dhe miliarderi nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish në lidhje me bllokimin e punimeve në aeroportin e Vlorës dhe vendimin e qeverisë shqiptare për t’i hequr kompanisë së tij koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ku ka paraljmëruar se do ta çojë në arbitrazh ndërkombëtar. Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se për gati tre muaj është bllokuar puna në kantierin e ndërtimit.
Biznesmeni shkruan se, edhe pse nuk ka asnjë vendim gjyqësor për pezullimin e punimeve, policia në terren e ka njoftuar se ka “urdhër nga lart”. Sipas tij, tashmë nënkontraktorët po i kërkojnë kompanisë së tij Macbo kompensim për tre muaj bllokim, fitimin e munguar, makineritë dhe pajisjet e mbetura në kantier.
“Ne, me nënkontraktorët, kemi bërë prej kohësh edhe kallëzime penale, por deri më sot pa rezultat”, thekson ai në postimin e tij.
Pacolli shkruan se fatura e kompensimit arrin në dhjetëra milionë euro dhe se dikush do të duhet ta paguajë! Ai bën thirrje qytetarëve që të kuptojnë se çfarë po ndodh, pasi do të jenë ata që do të paguajnë kostot.
Postimi i plotë:
Po bëhen gati tre muaj që qasja në kantierin e Aeroportit të Vlorës është bllokuar, pa na u paraqitur asnjë vendim gjyqësor. Në terren, policia thoshte se vepronte “me urdhër nga lart”.
Sot, dhjetëra nënkontraktorë kërkojnë kompensim për tre muaj bllokim, fitimin e munguar, makineritë dhe pajisjet e mbetura në kantier. Fatura tashmë arrin në dhjetëra milionë euro — dhe dikush do të duhet ta paguajë!
Ne me nënkontraktorët kemi bërë prej kohësh edhe kallëzime penale, por deri më sot pa rezultat.
Qytetarë, a po e kuptoni çfarë po ndodh? Kush do të përgjigjet dhe kush do ta paguajë këtë faturë?