PLAS skandali në Bolivi, kontrolli rutinë ia “nxjerr sheshit” klubit historik të Brazilit, gjendet sasi e madhe droge në autobusin e tyre

Një situatë e paprecedentë është regjistruar në Bolivi, aty ku një autobus që i përkiste Sao Paulos, një klub me histori në Brazil, është kapur në flagrancë pasi i janë gjetur sasi të mëdha droge.
Bëhet fjalë për 86.5 kilogramë marijuanë të cilat janë gjetur gjatë një kontrolli rutinë nga policia, që ishin të fshehura në kabinën e drejtuesit të automjetit, në katër thasë me pako në formë tullash.
Brenda në autobus nuk gjendej asnjë prej futbollistëve apo stafit teknik, pasi mjeti ishte nisur drejt Santa Cruz de la Sierra për t’ia vënë në dispizicion delegacionit.
Ngjarja ka marrë dhenë në rrjetet sociale, ndërsa nga ana e vetë drejtuesve të klubit brazilian pati reagim të menjëhershëm duke sqaruar se nuk kishin aspak dijeni për drogën e futur në autobus dhe për përfshirje në këtë incident.
Pasi u bë i mundur dhe arrestimi i tre personave, shoferët dhe një ndihmës i tyre, klubi veproi në mënyrë urgjente duke zëvendësuar pa humbur kohë një tjetër autobus.
Po sot, Sao Paulo do të përballet me Bolivar për ndeshjen e kthimit të Kupës Sudamericana, pasi takimi i parë përfundoi në barazimin 1-1, vlefshëm për raundin e 1/16-tave.