“Fantazma” urdhëroi vrasjen e Denis Bajrit? Del DËSHMIA e Brajoviç: Më tha “Jeta jote kaq e pati!”; Përleshja e të burgosurve u kushton karrierën 8 efektivëve

“Ibrahim Lici më kërcënoi në telefon. Më tha: Jeta jote kaq e pati! Në moment Jurgen Zotaj më sulmoi me thikë” mësohet të kenë qenë fjalët e Denis Bajri alias Brajoviç që u sulmua brenda burgut të Fierit të shtunën që lamë pas.
I ndodhur prapa hekurave pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit Boricit në Vaun e Dejës në 2020, Brajoviç para hetuesve ka pretenduar se sulmin ndaj tij e ka urdhëruar Ibrahim, Lici, kundërshtar i i grupit Bajri, i njohur ndryshe si “fantazma”. Më tej Bajri ka shtuar se Aldo Gjini kishte kërkuar ta takonte dhe ai pranoi për shkak të njohjes me të, mirëpo gjatë takimit ai u sulmua në befasi, duke pretenduar se ishte tentatiovë vrasjeje.
“Erdhi në qeli bashkë me Jurgen Zotajn. Më dhanë një telefon, përmes të cilit Ibrahim Lici më kërcënoi: Më tha: jeta jote kaq e pati!” është shprehur Bajri. Ndërsa shtoi se u sulmua me një thikë artizanale. Për rrjedhojë të përleshjes së ndodhur, kanë mbetur të plagosur ai dhe Zotaj.
Sakaq bëhet me dije se prokuroria ka sekuestruar celularin dhe e ka dërguar për ekspertim, ndërsa pritet të dalin detaje për pretendimet se në këtë mes ka gisht Ibrahim Lici. Po ashtu raportohet se, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka përjashtuar 8 efektivë të policisë dhe t’i referojë në prokurori për shpërdorim detyre.
Ndërsa bëhet me dije se po vijojnë hetimet për të zbuluar rolin e punonjësve të policisë, të cilët kanë lejuar lëvizjet e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga njëra godinë në tjetrën, si dhe faktin se ata kishin telefon, ndërkohë që ky i fundit ndalohet rreptësisht në qeli.
Siç raportuam dhe ditën e djeshme, një nga pistat që po hetohet është ajo e një mesazhi të përcjellë nga grupe rivale. Ditën e djeshme u tha se për përplasjen mes grupeve kriminale nuk u përjashtua as mundësia që plagosja e Bajrit të jetë urdhëruar ose nxitur nga persona të tjerë, përfshirë edhe persona të lidhur me grupin e Ibrahim Licit, ose vetë ky i fundit, me të cilin grupi i Shkodrës ka pasur prej vitesh përplasje të ashpra.
Ndërsa, kjo është përforcuar akoma më shumë sot, ku dhe u zbulua dëshmia e Denis Bajrit, i cili pretendon se ishte nën shënjestër nga “fantazma”. Megjithatë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim, e pritet që autoritetet të dalin me një reagim zyrtar në lidhje me përplasjen e të burgosurve që ka ngritur shumë pikëpyetje.