Kë po thumbon biznesmeni? Mesazhi i koduar i Pacollit: Njeriu më i poshtër është ai që i ke dhënë besimin dhe më pas të kthen shpinën

Biznesmeni Behgjet Pacolli, i cili është kthyer në vëmendjen mediatike muajt e fundit në lidhje me përplasjet me ortakun e tij Valon Ademi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, e cila solli vendimin e qeverisë shqiptare për t’i hequr kompanisë së tij koncesionin e këtij investimi strategjik, ka dhënë një mesazh të koduar në rrjetet sociale.
Pacolli ka ndarë në Facebook një mesazh të predikuesit fetar Behar Mjekiqi, ku ai flet për njerëzit mosmirënjohës dhe të pabesë. Sipas tij, njerëzit më të poshtër janë ata që iu hap zemrën dhe iu jep besim, ndërsa më pas të kthejnë shpinën.
Ndërsa në këtë fjalim theksohet gjithashtu se “Për t’i justifikuar veprimet e veta të pamoralshme, ai fillon të krijojë në mendjen e tij arsye, akuza dhe bindje negative ndaj teje”.
Kujtojmë që biznesmeni Pacolli prej disa muaj është duke u përplasur me një nga Valon Ademin, i cili ishte njerëzit e tij më të besuar. Përplasja e tyre ka përfunduar në sallat e gjyqeve, ndërsa ka një vendim të Gjykatës së Lartë, që i jep të drejtë Pacollit.
Postimi i plotë:
Një njeri shpirtëror, duke folur në një platformë mediatike, me shumë të drejtë thoshte:
“Njeriu më i poshtër dhe më i keq është ai të cilit i ke hapur derën dhe zemrën, i ke dhënë besimin tënd dhe gjithçka që ke mundur, ndërsa në një moment ai të kthen shpinën.
Por jo vetëm kaq. Për t’i justifikuar veprimet e veta të pamoralshme, ai fillon të krijojë në mendjen e tij arsye, akuza dhe bindje negative ndaj teje. Përmes një lloj autosugjestioni, e bind veten se ti je i keqi, vetëm që të “qetësojë”ndërgjegjen dhe të gjejë një justifikim për atë që po të bën.
Dhe paradoksi më i dhimbshëm është se pikërisht ai që e ka ndihmuar, i ka besuar dhe ia ka hapur zemrën, bëhet më pas shënjestra më e lehtë për t’u mashtruar, përfolur e poshtëruar.
Sepse për disa njerëz është më e lehtë të njollosin atë që u ka bërë mirë, sesa të përballen me ndërgjegjen e tyre dhe të pranojnë të keqen që kanë bërë.”