EMRI/ Kili në alarm, transferon nga burgu 9 të fortët e organizatave kriminale, mes tyre edhe një shqiptar! Detajet e operacionit

Autoritetet kiliane kanë ndërmarrë një operacion të gjerë sigurie, duke transferuar në një burg të sigurisë së lartë në Talca nëntë të burgosur të konsideruar si drejtues, ose figura kyçe të organizatave të rrezikshme kriminale.

Operacioni u zhvillua mëngjesin e së premtes dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Presidenca e Republikës. Të burgosurit u zhvendosën nga burgjet e Santiago-s drejt burgut La Laguna, në Talca.

Mes personave të transferuar ndodhet edhe shqiptari Viktor Gjini, 58 vjeç, i dënuar me 10 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat kiliane, në listën e nëntë të transferuarve ka persona të lidhur me organizata të fuqishme kriminale si Tren de Aragua, Los Pulpos, Los Ñaños, Los Cartier, si dhe me rrjete të mafies kineze dhe shqiptare.

Nga “Los Pulpos” te Tren de Aragua

Në mesin e të transferuarve është William Gianmarco Rosado Tomás, i njohur si “Wara”, i konsideruar drejtues i organizatës peruane Los Pulpos. Banda është akuzuar për zhvatjen e tregtarëve, të cilëve u kërkoheshin pagesa mujore në këmbim të “mbrojtjes”.

Rosado është nën akuzë për vrasje dhe vepra që lidhen me armë zjarri. Ai u arrestua në qershor 2023, në lidhje me vrasjen e një 26-vjeçari me origjinë peruane në Colina.

Në listë janë edhe disa persona të lidhur me Tren de Aragua, organizatën kriminale me origjinë venezueliane që ka shtrirë aktivitetin në disa vende të Amerikës Latine.

Njëri prej tyre është Jesús Rojas Morales, i lidhur me fraksionin Loyalty, i cili vepronte në Temuco. Ai po hetohet për trafik droge, organizim kriminal dhe zhvatje, ndërsa arrestimi i tij ishte pjesë e operacionit “Metástasis”, që goditi një rrjet të trafikut të drogës në Temuco.

Një tjetër emër është Carlos Efrén Carrillo Armada, i njohur si “Carlitos Cartier”, drejtues i dyshuar i fraksionit Los Cartier. Ai akuzohet për vrasje të rëndë, armëmbajtje të paligjshme dhe lidhje me Tren de Aragua.

Sipas hetimeve, Carrillo dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e një 17-vjeçari venezuelian në shtator 2024. Viktima, sipas dosjes hetimore, ishte rrëmbyer dhe rrahur përpara se të dërgohej në një zonë të izoluar dhe të qëllohej.

Në të njëjtin fraksion lidhet edhe Jean Carlos García, i akuzuar për vrasje, zhvatje, trafikim personash dhe armësh.

Ndër të transferuarit është edhe Jackson José Herrera Mijares, i konsideruar drejtues i grupit Los Mapaches, një tjetër fraksion i Tren de Aragua-s. Ai po hetohet për një rast rrëmbimi të një vajze 7-vjeçare në Conchalí, në mars 2025.

Shqiptari Viktor Gjini dhe trafiku i kokainës drejt Europës

Një nga emrat që tërheq vëmendjen në operacion është shqiptari Viktor Gjini, 58 vjeç.

Gjini është dënuar me 10 vite burg për trafik të paligjshëm droge dhe deri tani mbahej në burgun CDP Santiago Sur.

Sipas hetimeve kiliane, në vitin 2023 ai drejtonte një grup kriminal që organizonte dërgimin e drogës drejt Holandës përmes portit të Valparaísos, në bashkëpunim me shtetas aziatikë.

Hetuesit pretendojnë se Gjini i ofroi një agjenti të infiltruar 20 mijë dollarë në këmbim të fshehjes së rreth 100 kilogramëve klorhidrat kokaine brenda një kontejneri.

Operacioni i inteligjencës çoi më pas në arrestimin e tij dhe të personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rrjet.

Emri i lidhur me “Rey de Meiggs”

Në listën e nëntë personave ndodhet edhe José Kattah Solano, i cili lidhet nga hetuesit me disa organizata kriminale dhe me çështjen e vrasjes me pagesë të njohur si rasti “Rey de Meiggs”.

Ai akuzohet për rrëmbim, organizim kriminal, uzurpim dhe vepra të tjera penale.

Autoritetet e lidhin gjithashtu me aktivitetet e bandës ekuadoriane Los Ñaños, e dyshuar për përfshirje në zhvatje dhe rrëmbime, si dhe me një tjetër grup të dyshuar për rrëmbimin e një gruaje peruane.

I vetmi shtetas kilian në listën e të transferuarve është Juan Eduardo Pacheco Alarcón.

Ai akuzohet për vrasje dhe dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i afërt i trafikantit Vladimir Silva Soto, i njohur me nofkën “Cogote de Toro”.

Silva Soto u vra më 22 gusht 2020 në La Pintana, në një atentat ku disa persona zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr ndaj tij.

Sipas hetimeve, vrasja lidhej me një konflikt territorial mes grupit të tij dhe klanit “Los Risas”, për kontrollin e trafikut të drogës në jug të Santiago-s.

Operacioni përfshiu gjithashtu disa anëtarë të dyshuar të mafies kineze “Bang de Fujian”, aktiviteti kriminal i së cilës në Kili ishte dokumentuar nga autoritetet që prej vitit 2020.

Mes të transferuarve janë Yuping Zheng, Xianan He, Xiaohui Shi, Xiaotong Wu dhe Weimin Xiao.

Ky i fundit është dënuar me 10 vite e një ditë burg. Prokuroria kiliane e ka cilësuar si përgjegjës për një strukturë kriminale që operonte në disa prona.

Gjatë një operacioni të zhvilluar më 31 janar 2025 në Estación Central, policia sekuestroi kokainë, marihuanë dhe përzierje që përmbanin ketaminë, kafeinë dhe tramadol në një apartament të lidhur me rrjetin.

Në një kazino të paligjshme në San Vicente de Tagua Tagua, që gjithashtu i atribuohej Xiao-s, autoritetet gjetën kokainë dhe ketaminë. Në një tjetër banesë të lidhur me të u sekuestruan më shumë se 46 gramë “pasta base” dhe ketaminë.

Transferimi i nëntë të burgosurve konsiderohet nga autoritetet kiliane si një masë për të izoluar disa prej figurave më të rrezikshme të krimit të organizuar dhe për të kufizuar ndikimin që ata mund të ushtrojnë mbi rrjetet kriminale edhe nga brenda burgjeve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT