Zjarri në Lurë bëhet i rrezikshëm, flakët po përhapen në thellësi të parkut! Digjen mbi 300 hektarë, 4 mjete fluturuese në aksion

Zjarret në zonën e Lurës në Dibër po bëhen të rrezikshme teksa vijojnë të djegin hektarë të tërë me bimësi dhe pyje.
Vatrat janë brenda Parkut Kombëtar dhe Emergjencat vijojnë prej ditësh aksionin nga toka dhe ajri për shuarjen e tyre.
Prej 4 ditësh zjarri i përmasave të mëdha ka djegur mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota.
Zjarri ka përfshirë kurorën e Lurës nga Borje Lura, majën e Runjës, Livadhet e Stafës dhe po del në Lanë Lurë.
Edhe ditën e sotme janë mbi 250 forca të Bashkisë, emergjencave civile, zjarrfikës dhe rreth 40 ushtarë në terren, por ende nuk është bërë e mundur vënia nën kontroll e flakëve.
Për 3 ditë në ndihmë të tyre kanë qenë 2 avionë dhe 2 helikopterë, por pa mundur t’i shuajnë flakët.