Stuhia u rrezikon jetën 3 vajzave në det Policia futet me skaf dhe i shpëton! Po bënin kanoe në Palasë

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në jug të vendit ditën e sotme për pak sa nuk ka shkaktuar edhe tragjedi në det të hapur.

Reshjet e dendura të shiut dhe stuhia që përfshiu këtë të premte zonën e Palasës në Vlorë, lanë të bllokuara në det tre vajza që lundronin me kanoe pasditen e sotme (14 gusht).

Për shkak të motit të keq dhe dallgëve, ato nuk arritën të ktheheshin në breg, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e Policisë Kufitare.

Forcat kufitare u nisën me skaf drejt zonës ku ndodheshin vajzat dhe i nxorën në breg në gjendje të sigurt.

Pamjet e operacionit, tregojnë shiun e rrëmbyeshëm dhe skafin e Policisë Kufitare teksa tërheq kanoen me tre vajzat, duke i shpëtuar nga deti i trazuar.

Njoftimi i Policisë

Gjatë patrullimit në sektorin e Palasës, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan 3 shtetase që kishin dalë në det me kanoe dhe, për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira në det, rrezikonin të mbyteshin.

Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u shkuar në ndihmë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.

Të tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare apelojnë për të gjithë pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT