VIDEO / Gjirokastra në sytë e turistëve të huaj: Histori, arkitekturë dhe mikpritje

Gjirokastra vijon të tërheqë turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët e përjetojnë “qytetin e gurtë” përmes historisë, arkitekturës, traditës dhe mikpritjes.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale video me përshtypjet e turistëve për Gjirokastrën, ku vizitorë nga Australia, Suedia, Zelanda e Re, Belgjika, Holanda dhe vende të tjera tregojnë për eksperiencat e tyre në këtë qytet.

“Jam nga Australia dhe vendi im i preferuar në Gjirokastër është tuneli i Luftës së Ftohtë”, shprehet një turist, ndërsa një vizitore nga Suedia veçon Muzeun Etnografik.

“Më pëlqen vërtet shumë Muzeu Etnografik”, shprehet ajo.

Pazari është një tjetër prej pikave më të pëlqyera për pushuesit e huaj. “Është kaq multikultural dhe mund të blesh shumë gjëra”, thotë një turist, ndërsa një tjetër veçon kombinimin mes Kalasë dhe Pazarit të Ri.

Edhe Qyteti i Vjetër në Gjirokastër ka lënë mbresa te vizitorët. “Pjesa ime e preferuar nga sot ishte Qyteti i Vjetër”, shprehet një turiste nga Zelanda e Re.

Kështjella, përveç historisë dhe arkitekturës, vlerësohet edhe për panoramën që ofron mbi qytetin. Një vizitore shprehet se i pëlqeu shumë pamja e Gjirokastrës nga sipër, ndërsa vajza e saj veçon “të gjitha armët e vjetra, topat, parzmoret dhe skulpturat”.

Mes atraksioneve të përmendura është edhe Ura e Ali Pashës. “Vij nga Belgjika dhe ajo që më pëlqeu më shumë në Gjirokastër është ura, Ura e Ali Pashës”, tregon një vizitore.

Shtëpia e Zekatëve është një tjetër pikë që ka impresionuar turistët. “Është një shtëpi shumë e bukur, kaluam një orë këtu dhe thjesht… uau!”, shprehet një prej vizitoreve.

Në rrëfimet e tyre nuk mungojnë as përvojat gastronomike. Një turist nga Holanda, pas vizitës në qytet, thotë se i pëlqen rakia.

“Një raki në ditë mban doktorin larg, kështu kam dëgjuar”, tha ai.

Mes turistëve, janë edhe disa shqiptarë nga Dibra dhe Kërçova. Një vizitor nga Zajazi i Kërçovës, i cili ndodhet për herë të tretë në Gjirokastër, e cilëson qytetin si destinacionin e tij të preferuar.

“Gjirokastra është komplet vendi i preferuar për mua”, shprehet ai, duke veçuar Kalanë, pamjet mbi luginën e Drinos dhe arkitekturën e qytetit.

Përshtypjet e turistëve përcjellin një panoramë të Gjirokastrës si destinacion i ndërthurjes së trashëgimisë, historisë, arkitekturës, natyrës dhe traditës, duke sjellë përmes zërit të vizitorëve përvojën e tyre në një prej qyteteve më karakteristike turistike të vendit tonë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT