Çerekshekulli nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, momenti që i siguroi Maqedonisë së Veriut të ardhmen, MESAZHI që “peshon” sot e kësaj dite

Si sot para 25 vitesh, më 13 gusht 2001, u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, duke shënuar kështu një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë së atëhershme. Marrëveshja i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe hapi rrugën drejt një modeli të ri të bashkëjetesës, barazisë dhe integrimit të komuniteteve në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Mirëpo, nuk bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje politike. Marrëveshja e Ohrit ishte gjithashtu dhe një angazhim për të ndërtuar një shoqëri ku qytetarët, pa ndasi etnike apo gjuhësore, të gëzonin të drejta dhe mundësi të barabarta. Në qendër të saj u vendosën respektimin e identitetit, gjuhës, kulturës dhe përfaqësimit të komuniteteve.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënoi një pikë kthese në histori për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Falë saj u arritën ndryshime në përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, decentralizimin dhe pjesëmarrjen më të madhe në proceset vendimmarrëse.
Kjo kontratë në mes dy popujve u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Ndonëse ka kaluar çerekshekulli që nga momenti historik, mesazhi i Ohrit sot e kësaj dite ka peshën e tij dhe mbetet i qartë: Komunikimi, dialogu është më i fuqishëm se konflikti, barazia është themel i paqes dhe bashkëjetesa është rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.
Në lidhje me këtë moment historik ka reaguar dhe diplomati i Tirtanës Ferit Hoxha, i cili përmes një editoriali theksoi se marrëveshja e Ohrit është leksion i mirë bashkëjetese.